Konkursi për gradën “Komisar”, i mbajtur në datën 7 nëntor u shpall i pavlefshëm ditën e djeshme. Ishte vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili e anuloi këtë fazë, pasi sipas arsyetimit të kryepolicit Veliu, policët që morën pjesë në provim kishin kopjuar, ndërsa testet që kishin marrë ishin të zgjidhura. Në këtë konkursë 176 konkurentë dolën fitues, në mesin e 470 konkurentëve në total. Megjithatë, edhe pse u shpallën fitues, nuk mund të marrin gradën “Komisar” për shkak të pavlefshmërisë së konkursit.
Megjithatë, anulimi dhe shpallja e pavlefshme e këtij konkursi është shoqëruar me të thëna e të pathëna, dritëhije që duket se ka patur të favorizuar në mesin e policisë që nuk mundën të shpalleshin fitues. Provimi për gradën komisar u dha në Akademinë e Sigurisë, ndërsa pyetjet e këtij testimi ishin me alternativa. Korrigjimi u bë përmes scantronit, në mënyrë kompjuterike, çfarë do të thotë se rezultatet ishin të dala në mënyrë automatike. Pas shpalljes së rezultateve nga pajisja kompjuterike, e cila bazohet në të dhënat konkrete dhe jo të një subjektivizmi njerëzor, rezultuan fitues 176 persona të policisë, emra me një të shkuar të ndritur në polici.
Provimi në Akademinë e Sigurisë u mbikëqyr nga misioni Pameca, SHCBA, Drejtoria e standarteve dhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Gjatë kohës që bë testimi, asgjë nuk ndodhi, askush nuk u kap duke kopjuar, ndërsa ankesat e para filluan të shfaqeshin orë më vonë. Emrat që ishin shpallur fitues në këtë konkurs ishin specialistë me një begraund të gjerë dhe të respektuar, ndërsa pavlefshmëri e tij, jo vetëm nxjerr jashtë loje këta profesionistë, por shkon më tej, njollos figurën e tyre, duke i akuzuar si kopjacë. (B.H/Faxweb)