Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka qenë e ftuar sot në studion e lajmeve në Fax News, ku ka komentuar vendimin e qeverisë për të lënë opozitën jashtë Këshillit të Stabilizim Asocimit.
Gjosha tha se qeveria ka frikë nga e vërteta, sa kohë që përjashton opozitën nga një takim ku diskutohet ecuria e integrimit të vendit, që është në interes të çdo shqiptari.
Ish-ministrja u shpreh se përfaqësimi i opozitës në këtë Këshill është i domosdoshëm, dhe përfaqësuesi i saj duhet të ketë të drejtë fjale njësoj si ministri i jashtëm.
“Është hera e dytë që mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asocimit bëhet pa praninë e opozitës. Ajo që ne duhet të nxjerrim në pah sa i takon integrimit është gjithë përfshirja, ne dimë që të jemi konstruktivë aty ku duhet. Mendoj se është e patolerueshme që të përjashtohet opozita.
Qeveria ka frikë nga e vërteta, kjo frikë kaq e madhe ka bërë që qeveria dhe Ministria e Punëve të jashtme të përjashtojnë opozitën. Vendimi që opozita të përfshihet në takime ka qenë që prej kohës kur unë kam mbajtur postin e Ministres së Jashtme. Qeveria ku unë isha pjesë i kemi dhënë shansin Majlinda Bregut që të jetë pjesë e këtij takimi.
Përfaqësuesi i opozitës ka të drejtën e fjalës njësoj si ministri. Në këtë takim diskutohet ecuria e pesë prioriteteve, si dhe çështja e fondeve që alokuon BE-ja për vendin tonë. Përjashtimi vë shumë në pikëpyetje ecurinë e negociatave. Në 2017 një nga gjetjet kryesore të KSA-së ishte ecuria pozitive në luftën kundër kanabisit, pikërisht dje kjo fjali ishte tjetërsuar, duke bërë hapa pas.
Hapi pas është se BE i tërheq vëmendjen qeverisë shqiptare se ka nevojë kritike për të pasur rezultate të menjëhershme sa i përket krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, pra ne kemi dalë tashmë nga kultivimi i kanabisit dhe bëhet fjalë tashmë për çështje drogërash.
Duke qenë se kam dhe një eksperiencë në këtë çështje e kam lexuar në mënyrë sa më të përpiktë qasjen që BE-ja ka pasur në këtë rast. Nuk është më nevoja për show të bujshme, për arrestime mediatike, ata kërkojnë hapa konkretë. Hahnit do t’i bëja vetëm një pyetje: A është normale që opozita të kthehet në Kuvend, ndërsa përjashtohet edhe nga KSA-ja?!”, u shpreh Gjosha.
Ndërkohë që pyetjes së gazetarit Bledian Koka nëse opozita do të kërkojë zgjedhje të parakohshme, në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale, pra 30 Qershor, Gjosha tha se kjo mundësi nuk përjashtohet.
“Është një opsion që ne e kemi në tavolinë, dhe do ta diskutojmë”, u shpreh më tej Gjosha në ‘’Fax News”.
Lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme ka folur sot dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila njësoj si Gjosha nuk përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve për qeverinë Qershorin e vitit të ardhshëm.
(E.K/FAXWEB.AL)