Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk do të jenë në treshen më të mirë për të fituar çmimin më prestigjioz për “Topin e Artë”, i cili do të ndahet më 3 dhjetor.
Disa informacione nga Franca, pohojnë se lojtarët: Raphael Varane, Luka Modric dhe Kylian Mbappe do të emërohen si tre lojtarët më të mirë të vitit 2018, shkruan Sportplus. Messi dhe Ronaldo në 11 vitet e fundit kanë dominuar botën e futbollit dhe ky vit me sa duket do të jetë fundi i një epoke edhe pse shumë tifozë nuk bien dakord me vendimin për të eliminuar dy yjet nga podiumi për trofeun më të lakmuar individual.
Shumë tifozë të futbollit në internet janë ankuar për vendimin, megjithatë, ende asgjë nuk është bërë zyrtare. Shumica e tyre besojnë se vendimi për të mos përfshirë duetin legjendar në lojtarët më të mirë të vitit, ndikon automatikisht në kredibilitetin e çmimit.
Tifozët më të zymtë, natyrisht, janë ato të Juventusit që besuan se Ronaldo do të fitojë “Topin e Artë” në stadiumin e tyre të ri dhe nëse raportet nga Franca janë të sakta, atëherë një gjë e tillë nuk do të ndodhë.(B.H/Faxweb)