Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në kufirin e gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë. Policia greke ka vrarë një shqiptar që po transportonte drogë pranë kufirit. Mësohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes policisë dhe trafikantit, raporton ‘Fax News’.
Efektivët e policisë po zhvillonin një aksion kundër një grupi që dyshohet se posedonte lëndë narkotike. Bëhet fjalë për një grup shqiptarësh që trafikonin drogë. Ende nuk dihet emri i shqiptarit të vrarë.
Trafikantët shqiptarë kanë qëlluar ndaj policisë greke dhe kjo e fundit është kundërpërgjigjur duke vrarë njërin prej tyre. Gjithashtu media greke raporton se është plagosur lehtë dhe një polic grek. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vissani në Janinë.
Kujtojmë që më pak se 1 muaj më parë në Bularat u vra minoritari grek Kostandinos Katsifas në një shkëmbim zjarri me policinë shqiptare. Katsifas pasi kishte qëlluar mbi policinë vendore të Gjirokastrës nuk i ishte bindur as urdhrit të RENEA-s për tu dorëzuar, por kishte qëlluar mbi ta.
Ngjarja solli shumë tension mes dy vendeve. Në ceremoninë e tij të varrimit morën pjesë rreth 1500 grekë të cilët në kor bënë thirrje raciste ndaj Shqipërisë. Kjo bëri që shteti shqiptar 52 prej shtetasve grekë t’i shpallte ‘non grata’.
(B.H/Faxweb)