Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka reaguar pas daljes ditën e sotme në terren për të bërë vlerësimin e banesave me dokumente pronësie që preken nga projekti i “Unazës së Madhe”.
Ndonëse ata hasën në kundërshtimin e banorëve të “Astirit”, mësohet se është arritur që të bëhet vlerësimi i 17 objekteve me dokument pronësi, ndërsa bën thirrje që edhe banorët e tjerë ti depozitojnë ato sa më shpejt pranë zyrave përkatëse në Autoritetin Rrugor në mënyrë që të vazhdohet pa vonesa me vlerësimin, evidentimin, bërjen gati të Vendimit të Këshillit të Ministrave për procedurën e shpronësimit të tyre.
Njoftimi i ARRSH
Në kuadër të projektit për rehabilitimin e Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja, Autoriteti Rrugor Shqiptar ishte sot në terren për vlerësimin real dhe korrekt të banesave të atyre që kanë depozituar tanimë dosjet dhe dokumentet e pronësisë pranë këtij institucioni.
Gjatë ditës së sotme, u bë e mundur që në të tre lotet të kryhet verifikimi i 17 objekteve, ose thënë ndryshe 31% e totalit të atyre që deri më tani kanë dorëzuar dokumentat në ARRSH. Ndërkaq, në ditët e ardhshme do të vazhdojë ky proces verifikimi për të gjithë banorët që kanë depozituar dosjet pranë ARRSH.
U bëjmë thirrje edhe banorëve të tjerë që disponojnë dokumente pronësie ti depozitojnë ato sa më shpejt pranë zyrave përkatëse në Autoritetin Rrugor në mënyrë që të vazhdohet pa vonesa me vlerësimin, evidentimin, bërjen gati të Vendimit të Këshillit të Ministrave për procedurën e shpronësimit të tyre.
Procesi i verifikimit dhe vlerësimit të pronave për procedurën e shpronësimit është një detyrim ligjor i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Rrjedhimisht, çdo përpjekje për të penguar këtë proces përbën pengim të punonjësve shtetërore në ushtrimin e detyrës ashtu sikurse mohim të të drejtës së pronarëve të objekteve për vlerësimin e shpronësimin e drejtë të tyre.
(B.B/ Faxweb.al)