Është miratuar me shumicë votash kërkesa e kryetarit të Komunës Jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për ndryshimin e Ligjit 03/L401 për kufijtë administrativë të Mitrovicës me qëllim të bashkimit të qytetit.
Votimi ndodhi në një seancë të jashtëzakonshme për inicimin e ndryshimit të Ligjit për kufijtë administrativë të komunave me qëllim të bashkimit të Mitrovicës.
E gjithë kjo erdhi pas dorëheqjes së kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Agim Bahtiri, kryetari i Mitrovicës së Jugut, në kërkesën për ndryshimin e ligjit për kufijtë kishte kritikuar homologun serb që nuk i ka përfillur kërkesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombësie.
Këtë e ka deklaruar Bahtiri në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, e cila e ka vetëm një pikë të rendit të ditës.
“Rakiq ka qenë çdo herë ai që nuk i ka përfillur kërkesat tona dhe të qytetarëve, ku shqiptarë janë shumicë. E di që 15 mijë shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. A ka më vështirë të jesh refugjatë në komunën tënde. Jam në një situatë tejet të rëndë. Nuk ka më vështirë se ta shohësh shtëpinë tënde, e mos të banosh aty. Rakiq nuk e ka lejuar këtë. Kërkesa ime ka qenë e pareshtur që të ketë mirëkuptim për këtë. Politika dhe njerëzit e veriut kanë synuar që të bëhet një spastrim etnik. Janë bërë të gjitha përpjekjet në Bruksel dhe në Prishtinë, madje e kemi një vendim të përbashkët rreth kësaj, por që nuk po zbatohet”, ka theksuar Bahtiri.
Ndryshe, shefi i grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin Komunal në Mitrovicë, Donjet Bislimi ka theksuar se PDK-ja gjithmonë ka qenë dhe do të jetë për bashkimin e Mitrovicës, por duhet sipas tij, të ngrisim një pyetje themelore, e ajo është se “kush qëndron pas kësaj ideje, kryetari apo Lëvizja Vetëvendosje”.
Sot në Mitrovicë, me propozmin e kryetarit të saj Agim Bahtiri, është mbajtur mbledhja në të cilën është kërkuar që Qeveria e Kuvendi i Kosovës t’i fillojnë procedurat e bashkimit të pjesës jugore të qytetit me atë veriore.
Pas debatit të zhvilluar, Kuvendi komunal ka miratuar në mënyrë unanime propozimin e kryetarit Bahtiri.
Menjëherë pas seancës për ndryshimin e Ligjit për bashkimin e Mitrovicës, në një konferencë për media Agim Bahtiri ka dhënë shpjegime rreth idesë dhe se për të njëjtën kanë qenë në dijeni edhe liderët e Kosovës.
“Kemi biseduar me Pacollin. Idenë time e kanë ditë gjithë liderët dhe ata janë të thirrur t’i dëgjojnë qytetarët”, ka deklaruar Bahtiri duke aluduar kështu në liderët kosovarë.
Tutje ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që propozimin e tij ta mbështesin.
“Kërkoj nga të gjithë të bëjnë këtë kërkesë realitet. Kemi bërë të pamundurën të bashkëpunojmë me ta, por ajo nuk ka qenë reale. Kryetari i veriut ka punu me dirigjime të Beogradit. Ne jemi munduar të bashkëpunojmë, por kjo nuk ka ndodhur dhe kërkoj prej Qeverisë që kjo të bëhet realitet”, ka thënë kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.