Është zbardhur vrasja e studentes greke Eleni Tupaludhi, ngjarje e cila ndodhi pak ditë më parë në zonën e Rodosit në Greqi.
Si autorë të ngjarjes dyshohet se janë dy të rinj, një 19 vjeçar shqiptar dhe një 21 vjeçar grek, të cilët kanë dëshmuar gjatë natës në rajonin e policisë të ishullit Rodos. Vajza u gjet nga policia bregdetare e ishullit, e cila zbuloi trupin e 21-vjeçares në shkëmbinjtë e bregdetit, thuajse të zhveshur.
Ngjarja shkaktoi bujë në gjithë vendin, ndërsa të enjten më 29 nëntor viktima u identifikua.
Vajza vinte nga një familje arsimtarësh grekë, madje i ati është nënkryetar i Bashkisë së zonës. Dje pasdite, policia e Rhodes ka marrë në pyetje 19-vjeçarin shqiptar dhe 21-vjeçarin grek, të cilët gjatë natës edhe kanë pranuar vrasjen.
Sipas burimeve policore, dy të rinjtë e morën studenten nga shtëpia e saj të martën, 27 nëntor, në vijim shkuan në shtëpinë e njërit prej tyre, ku mesa duket kërkuan akte seksuale të cilat vajza i refuzoi.
Gjatë sherrit e qëlluan në kokë me armë të ftohtë, kujtuan se humbi jetën dhe e hodhën në shkëmbinj, në det për t’u dukur si aksident apo vetëvrasje.
Mjekët ligjorë theksuan se viktima në fakt kishte humbur ndjenjat dhe vdekja u shkaktua nga mbytja në det. Sipas burimeve policore, dy të akuzuarit i hedhin fajin njëri tjetrit, ndërsa avokatët nuk u lejuan të marrin pjesë në seancën e djeshme pyetësore. Hetimi i ngjarjes vazhdon.
(E.K/FAXWEB.AL)