Mëngjesin e sotëm fadromat e IKMT-së kanë ndërhyrë për të shembur disa banesa në zonën e Laprakës në kuadër të ndërtimit të Unazës së Re në Tiranë.
Sipas njoftimeve paraprake u tha se pronarët kanë dakordësuar për shembjen e objektit, por rezulton se pronarët e ndërtesës ndodhen në SHBA.
Fax News raporton se pronarët e ndërtesës janë njoftuar nga të afërmit e tyre mbrëmjen e djeshme për shembjen e pronës së tyre.
Të afërm të tyre janë paraqitur me urgjencë për të tërhequr orenditë shtëpiake, para se fadromat e IKMT-së të shkatërrojnë gjithçka.
Ndërkohë një nga banorët që kishte shtëpinë ngjitur me banesën që u shemb në zonën e Laprakës, ka vendosur që të ngujohet brenda shtëpisë në mënyrë që të shmangë prishjen e godinës së tyre nga ana e fadromave të IKMT-së.
Rruga ndërkohë është bllokuar për shkak të punimeve për prishjen e objektit, duke penguar qarkullimin e mjeteve në njërin aks në Laprakë.
Prej disa ditësh shumë banorë në zonën e Astirtit, vijojnë të protestojnë për shtëpitë e tyre, duke kërkuar dëmshpërblim 100% të pronës dhe duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre.
(M.Q/Faxweb.al)