Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, ka folur ditën e sotme në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, gjatë prezantimit të projektligjeve për kadastrën dhe prezantimin e projektligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Ai është ndalur edhe tek protesta e banorëve tek zona e Shkozës, ku sipas tij, banorët kanë të drejtë të protestojnë pasi shteti është i paaftë dhe nuk e përfundoi procesin e legalizimit.
“Të gjithë letrat turke të përdoruar për kthimin e pronave janë të pavlefshme. Edhe turqit nuk i njohim më letrat e tyre. Nuk duhet të njihen. Ka një kaos institucional në lidhje me pronat. Ndarja e tokës është bërë me një proces abuziv. Dhe pastaj banorët protestojnë. Kanë të drejtë. Banorët protestojnë sepse shteti është i paaftë dhe nuk e përfundoi procesin e legalizimit”, – është shprehur Lame.
Lame më tej është ndalur edhe tek çështja e “Unazës së Re”, ku bëri përgjegjëse Partinë Demokratike, pasi sipas tij edhe gjatë kohës që do linte pushtetin në vitin 2013 legalizoi 49 objekte në zonë.
“Legalizimi i Unazës nga pikëpamja formale dhe legalizimet e bëra në kohe janë të rregullta. Nga pikëpamja morale janë 49 legalizime të bëra në korrik- shtator 2013, pra që kishin lënë vulën, pa u formuar qeveria e re.Edhe brenda saj duke e ditur shumë mirë që Unaza do zgjerohej nuk e kishin publikuar këtë projekt të gjerë dhe ky moslajmërim i njerëzve bëri që të krijohej shtegu i ndërtimit por dhe me atë shtrat të Unazës që parashikon. Shteti duhet të merret me regjistrimin e problemeve. Kohë pas kohë o i ka hequr kompentecat vetes, ose gjykatat e kanë penguar shtetin të rregullojë situatat negative”, – është shprehur Lame.
Kujtojmë se në zonën e Shkozës janë të paktën 16 objekte pa leje që preken nga projekti i “Unazës së Madhe” dhe që do të prishen.
Sot IKMT shembi një shtëpi dhe biznes dy katësh pranë ish-sheshit “Shqiponja”, ndërtesë e cila prekej nga projekti, ndërsa nuk munguan përplasjet e banorëve me policinë, ku Bajram Nela, pronari i ndërtesës u shoqërua në polici dhe bashkëshortja e tij humbi ndjenjat.
(B.B/ Faxweb.al)