Një nga emrat më me peshë në Partinë Demokratike, Gazmed Oketa, mëgjithëse pak kohë më parë deklaroi se do të largohet përfundimisht nga politika, është rikthyer sërish në PD.
Në një intervistë televizive, Oketa deklaroi se rikthimi i tij në politikë dhe në PD lidhet me zhvillimet e fundit politike, por më kryesorja tha ai ishte protesta e studentëve, e cila shtoi ai ka shtuar shpresat e shoqërisë shqiptare.
“Motivet që më bënë të rishikojë do të përpiqem t’i përmbledh shkurt. Së pari ishin zhvillimet politike në vend. Lëvizja e studentëve dhe protesta më ktheu besimin se mund të ndryshojë situata, protesta e banorëve të Astirit si dhe ajo e Teatrit Kombëtar. Unë besoj se mjafton të përmendim rastin e fundit të Unazës së Re, që nga buxheti do të avullonin 30 milionë euro. Miqtë e mi më të mirë janë tek e djathta. Këtë dite takimet me ta u shtuan”, tha Oketa.
Ai komentoi gjithashtu edhe disa zëra, të cilët flasin se Gamend Oketa do të jetë kandidati për të sfiduar kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon në zgjedhjet lokale, por Oketa tha se nuk është e vërtetë një gjë e tillë.
“Nuk është hera e parë që qarkullon një lajm i tillë, derisa të dallojmë dëshirën e disa individëve është apo nuk është e vërtetë. Rikthimi im nuk ka lidhje aspak me këtë çështje. Unë jam rikthyer me shpresën dhe besimin, pasi e kam parë politikën si një lojë skuadre. Nuk ka lidhje me aferë apo Pazar personal. Unë jam kthyer me dëshirën për të kontribuar dhe për të bërë mirë. Në një moment që vendi ka nevojë, opozita ka nevojë.”- tha Oketa