Pesë vite pas aksidentit të rëndë të Michael Schumacher, ka folur roja i sigurisë në Alpet franceze ku përplasi kokën në shkëmb kampioni i Formula 1.
Stephane Bozon, i cili drejtoi operacionin e shpëtimit të tij në vendngjarje, thotë se Schumacher ka qenë me fat.
Ai ka folur për herë të parë në lidhje me skena të tmerrshme kur ekipi i shpëtimit arriti në vendin Combe de Saulire në Alpet franceze.
Kampioni shtatë herë i Formula 1 aktualisht është nën kujdesin intensiv në shtëpinë e tij në Liqenin e Gjenevës, Zvicër, pas aksidentit pesë vjet më parë, ku ai pësoi dëmtime serioze të trurit.
Bozon e përshkroi vështirësinë për marrjen e ish-pilotit të Ferrarit për shkak të terrenit të ashpër malor dhe thotë se Schumacher ka qenë me fat që shpëtoi.
“Kujtoj që mjekët e urgjencës së helikopterit kishin probleme për shkak të vendit ku ndodhi aksidenti”, tha ai për gazetën gjermane “Focus”. “Qartësisht dëmtimi ishte shumë serioz, përndryshe nuk do të kishim përdorur helikopterin. Z.Schumacher ishte me fat. Unë pashë gurin ku Schumacher u përplas duke bërë ski, dhe guri ishte në kokën e tij”, shtoi ai.
Bozon tregon gjithashtu se kampioni i Formula 1 nuk e kishte parë gurin kur po bënte ski.
Nëse do të kishte më shumë dëborë, ndoshta Schumacher nuk do të kishte përplasur kokën dhe do të kishte kaluar mbi gurin.
Bozon, i cili është komandanti i trafikut malor, shtoi se Schumacher ishte duke bërë ski jashtë zonave të parametrave.
7 herë kampioni i botës në Formula 1 ra ndërsa ishte duke bërë ski me djalin Mick në Meribel në Alpet franceze më 29 dhjetor 2013.
Schumacher, i cili mbush 50 vjeç në janar, goditi anën e djathtë të kokës së tij në një shkëmb duke çarë edhe mbrojtësen e kokës.
Disa javë më parë, “Daily Mail” publikoi lajmin se Schumacher ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është ngritur në këmbë me ndihmën e fizioterapive.
Schumacher përplasi kokën në një gur në Alpet fanceze më 29 Dhjetor 2013, duke rënë fillimisht në koma. Gjendja e tij shëndetësore është mbajtur gjithmonë e fshehtë nga ana e familjarëve, teksa për të kujdesen një ekip mjekësh dhe infermierësh.