Djemtë e “Threedots”të fuar në “Shiko kush luan” zbuluan shumë gjëra rreth jetës së tyre. Flori, Bruno, Klajdi e Vicky dhanë përgjigje për disa gjëra që me siguri nuk i dinit më parë për to.
Në një pjesë të emisionit çunat kishin tabela në duar me emrat e njëri-tjetrit dhe duhet të ngrinin emrin e atij që mendonin. Në rubrikën “Sa e njihni njëri-tjetrin” ne arritëm të mësonim diçka më shumë për to.
Ne nuk e dinim më parë, por Dj Vicky paska qenë më shumë se 100 kilogramë dikur, ndërsa Klajdi Haruni ka pasur flokë me balluke përpara se të bëhej me “Threedots”. As që na shkonte mendja!
Flori Muamjesi është ai i cili i ka pasur fiksim gocat e shkollës “Petro Nini Luarasi”. Madje, këngëtari nga pëlqimi që kishte për këtë shkollë ka konkuruar për të në “Rin Fest” dhe jo për gjimnazin e tij.
Me siguri duhet ta keni vënë re humorin e cunave të “Threedots”, por ai që bën më shumë batuta sipas tyre është Dj Vicky.
Studioja muzikore e tyre është kthyer tashmë në një vend mjaft të ngrohtë, e këtë e kemi parë dhe në postimet që djemtë bëjnë në Instagram. Por, sipas tyre, ai që harron që ka një shtëpi kur është në studio është Flori Mumajesi. Ndoshta koha kalon kaq shpejt aty brenda, sa Flori humb sensin e kohë.
Përveç kësaj, për Flori Mumajesin mësuam se nuk dëgjon mirë nga njëri vesh. Këtë gjë Flori e shpjegoi duke thënë se dëgjimin në njërin vesh e ka humbur në moshën 13-vjeçare, pasi nuk kishte kushte të përshtatshme dhe dëgjonte muzikë nga njëri vesh me një boks me volum shumë të lartë.
Romantiku mes çunave është padyshim Flori, kjo mori dhe votën e vetë atij. Sigurisht që baladat e tekstet e bukura bëhen nga dikush që di të dashurojë e dhurojë dashuri, si Flori.
Përveç faktit që Dj Vicky dhe Klajdi Haruni na treguan se janë të lidhur, madje shumë të lidhur, mësuam se Klajdi ka një tatuazh shumë domethënës në trup. Si të gjithë njerëzit edhe ai e konsideron familjen si pikën e dobët e tij dhe ka bërë tatuazh frekuencën e zërit të babait të tij. Ide origjinale apo jo?