Kamera e Fax News udhëtoi drejt Kolesianit tek Familja e Izet Spahiut prej 6 antarësh, e cila jeton në kushte skandaloze në fshatin Kolesian të Kukësit 17 km larg nga qyteti i Kukësit. Prej 10 vitesh familja jeton në një shtëpi të rrënuar të një bashkefshatari.
Ata jetojnë në një dhomë, ndërsa kanë të ardhura të pakta, vetëm një pension invalidi dhe ndihmë ekonomike. Dimri i ftohte dhe dëbora që ka përfshire Kukësin rrezikon shembjen e shtëpisë siç duket edhe nga pamjet. Çatia është e mbuluar me çadër, çfarë bie jashtë bie brenda.
Prej 1 viti familja Spahiu nuk ka ujë të pijshëm nga 4 fëmijët 2 prej tyre jane të sëmurë me probleme mendore, ndërsa 2 të tjerë ndjekin arsimin 9 vjeçar. Atyre u duhet 1 orë në këmbë për të arritur tek shkolla. Kryefamiljari Izet Spahiu dhe bashkëshortja tregojnë se ç’kushte të vështira jetojnë, ndërsa askush nuk i ka ndihmuar.
Djali 9 vjeçar i familjes i bën apel kryeministrit dhe institucioneve qëndrore e vendore për ndihmë.
“Unë jam pa shtëpi, bëj dy orë për të shkuar në shkollë. Unë nuk kam ujë, nuk kam lek për të blerë rroba dhe nuk kam lek për të ngrënë.”- u shpreh ai.
Familja Spahiu është një ndër shumë famije shqiptare që vuajnë skamjen dhe të ftohtin në këtë mot të ftohtë ku në zonat e thella janë izoluar shumë banorë në dëborë.