Me atë pajisje elektronike të fiksuar në këmbë, me frikën e vdekjes nëse do të ekstradohet në Portugali, hakeri i arrestuar në Hungari javën e kaluar, superurithi apo spiuni i “Football Leaks”, i njohur prej vitesh vetëm me nofkën “John”, më në fund ka zbuluar zërin e tij të vërtetë pa mistere.
Nën emrin e vërtetë Rui Pinto, nga miniapartamenti i tij në Hungari, prej nga ku nuk i lejohet të dalë, i dënuar me arrest shtëpie, spiuni ka dhënë një intervistë të gjatë për “Der Spiegel”, një prej mediave që zbuloi skandalin që ka turpëruar botën e futbollit në vitet e fundit bazuar në rreth 70 milionë dokumente të hakeruara.
Ishte pikërisht “Football Leaks” që ka nxjerrë në dritën e diellit edhe çështjen “Mayorga”, që u rifut në jetën e Cristiano Ronaldo nëntë vite më vonë. “E di shumë mirë që ka një hetim për përdhunim, por nuk dua të komentoj. Ndërkohë, konfirmoj se jam kontaktuar nga autoritetet amerikane”, deklaroi spiuni i botës së futbollit.
I vetëquajtur si bilbilfryrës, një term perëndimor për spiunin publik, Rui Pinto konfirmoi se: “Mafia e futbollit ndodhet kudo”. Ndërkohë, spiuni portugez ka rrëfyer një tjetër sekret, arsyen pse ka publikuar një seri dokumentesh mbi Cristiano Ronaldon.
“Pikë së pari sepse Ronaldo është futbollisti im i preferuar. E konsideroj futbollistin më të kompleuar në histori. Por sjellja e tij jashtë fushe duhet të gjykohet në mënyrë tërësisht të ndryshme, në terma të së drejtës penale. Prandaj Football Leaks është dhe ka qenë i dobishëm”.