Ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar pas lajmit se ai ishte nën verifikim nga ana e Prokurorisë së bashku me Petrit Vasiln, për shkak të disa tenderave të dyshimtë që janë dhënë në këtë dikaster gjatë kohës kur drejtohej prej tyre.
Manjani thotë se ai është i hapur ndaj çdo hetimi, duke qenë se prej kohësh nuk ka asnjë lloj imuniteti.
Për tenderat e dyshimtë u dhanë 4 masa arresti me burg, dhe 8 masa arresti shtëpiak për ish-zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë.
Reagimi i Manjanit:
Mirmëngjes!
Sapo u zgjova u njoha me lajme “bombastike” mbi disa arrestime zyrtarësh.
Mendova për një çast se kush e di çoa ndodhur me çështjen e unazës së re apo ndonjë koncension apo blerje votash….
Por jo! Ishin arrestuar disa zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë. Ende nuk kuptoj nëse janë arrestuar, pra me vendim gjykate, apo shoqëruar e ndaluar nga policia.
Nuk më erdhi mirë sigurisht! Janë punonjës të asaj Ministrie dhe për aq kohë sa kam punuar me ta, ndjej keqardhje.
Në disa lajme elektronike lexova se qenkam dhe unë bashkë me Petrit Vasilin në verifikim!!!
Une nuk di asgjë për këtë fakt, por nëse duan të verifikojnë apo hetojnë shumë mirë do bëjnë.
Nëse ky pushtet ka mbaruar punë me trafikun e drogës, kanabizimin e vendit, koncensionet e PPP, tenderat e infrastrukturës dhe abuzimet miliona e eurove, le ti verifikojnë edhe shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Drejtësisë. Biles edhe të kohës së sotme, se i njëjti personel është…
Unë nuk jam person me imunitet dhe as mbrohem nga parti apo njeri tjetër. Mendoj dhe shprehem lirisht për atë që mendoj, pavarësisht çmendojnë të tjerët.
Për të gjithë të interesuarit, miq e gazetarë nuk kam asnjë koment më shumë për këtë çështje.
Nuk kam ndërmend të bëj e as ti nënshtrohem gjyqeve popullore dhe elektronike. Aq më tepër për gjera të stisura…
Portaleve e mediave pro qeverisë, aq më pak lodhem ti sqaroj e tu jap ushqim që ata të vijojnë të vjellin kundër meje.
Vijoj të mendoj e shprehem lirisht mbi ato që mendoj, pa i marrë leje askujt!
Si gjithmonë!
Deri tani në pranga kanë përfunduar 4 persona, mes të cilëve edhe ish Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, Juliana Hoxha, por edhe ish Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse Aurel Lamçe si dhe specialistë të IT-së Lysien Ali dhe Arlind Alikaj, ndërsa priten arrestime të tjera. Për 8 persona të tjerë është dhënë masa e arrestit të shtëpisë.
Shkeljet më të rënda janë raportuar në lidhje me shërbimin e kamerave në burgje, ndërsa ka dyshime se edhe regjistri noterial nuk funksiononte.
Pesë procedurat e tenderimit, ku janë evidentuar shkeljet:
1. Mirëmbajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative
2. Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale
3. Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar
4. Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës
5. Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post