Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur sot lidhur me ankimimin e ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi kundër vendimit KPK-së në korrik të vitit të kaluar për shkarkimin e tij nga detyra.
Seanca e sotme e KPA e kryesuar nga Sokol Çomo, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, vendosi që ta lërë në fuqi vendimiN e datës 30.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Kujtojmë se në seancën e korrikut të kaluar, KPK deklaroi se Selimi nuk i përmbush kriteret e vlerësimit, prandaj do të shkarkohet nga detyra që ai mban.
Pak ditë përpara këtij vendimi, u publikua një përgjim i tij me një person të dyshuar për trafik droge. Selimi në atë kohë akuzoi Komisionin e Vetingut se kishte nxjerrë këtë informacion dhe braktisi seancën dëgjimore.
Vendimi i KPA:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Sokol Çomo, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, sot, më datë 07.02.2019, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen (JR) nr.19/2018, datë 11.10.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Shkëlzen Selimi, kundër vendimit nr. 52, datë 30.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Trupi gjykues, mbështetur në faktet e provuara në gjykim, në zbatim të nenit Dh pika 3 e 4 të Aneksit të Kushtetutës dhe të neneve 61 pika 2 e 3 dhe 66 pika 1, germa “a” të ligjit nr.84/2016 vendosi unanimisht:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 52, datë 30.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Shkëlzen Selimi.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall në Tiranë, sot, më datë 07.02.2019.
(F.GJ/FAXWEB.AL)