Ngjarja e rëndë e ndodhur në shkollën “Rilindja” në Kavajë, ku një 13-vjeçare u përdhunua nga 14 bashkëmoshatarë, ka tronditur mbarë opinionin shqiptar, ndërsa është bërë temë debatesh në televizionet shqiptare.
Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” është trajtuar tema: “Ngjarja e Kavajës, fakte të reja!”, ndërsa e ftuar ka qenë edhe gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, e cila ka shpërthyer në akuza ndaj policisë.
“Në rastin konkret policia ka paaftësi dhe mungesë transparence, por jo fshehje të ngjarjes”, tha Lala. E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se çfarë donte të thoshte kjo, Lala u shpreh:
“Bëhet fjalë për një ngjarje që e dinte gjithë Kavaja, por vetëm policia nuk e dinte. E dyta policia jep informacione në media për ngjarje idiote dhe jo për këtë ngjarje? Policia ishte e detyruar të bënte një sqarim, jo pas debateve në parlament”.
Po ashtu kjo temë ka shkaktuar debate edhe në Kuvend mes ish-kryeministrit Berisha dhe ministrit Sandër Lleshaj.
Berisha e ka quajtur Lleshajn bastard, duke qenë se është munduar të fshehë krimin me urdhër të Edi Ramës.
“Policia e ka fshehur përdhunimin e 14-vjeçares, ky që foli këtu është bastard dhe i pafytyrë, që merr urdhërat nga Edi Rama. Të jesh i bindur që së bashku me të do zvarritesh rrugëve. Je puçist”, u shpreh Berisha.
“Policia u njoftua por ishte në anën e përdhunuesve dhe fshehur krimin, Shërbimi Informativ njoftoi, kryeministrin dhe ministrave, kryeministri ishte në anën e përdhunuesve, valsalët e tij pa moral heshtën dhe nuk thanë një fjalë, fshehën krimin.
Përsëritën të njëjtin skenar, këta përdhunues që e bënë me djalin e deputetit të tyre, të njëjtin skenar kur një e sëmurë me AIDS akuzoi kreun aktual të grupit për përdhunim, ca morali kanë këta të dalin para jush, është dita juaj qytetarë, nëse nuk i krreni, nuk do keni fëmijë të sigurtë kurrë në shkollat tuaja”, tha më tej Berisha.
Ndërkohë që Lleshaj u shpreh: “Policia ka marrë dijeni, ka reaguar në momentin zero, në 29.1 2019 ndaj denoncimit të familjarëve, po në këtë moment policia ka referuar çështjen në prokurori, pra e ka bërë publike atë, dhe së treti të gjitha akuzat janë të pabaza, të dëmshme dhe dashakeqe për të nxirë një institucion që i shërben qytetarëve.
Denoncimi në rrjetet sociale, është bërë pasi kanë qenë të arrestuar, janë arrestuar para se të bënit atë palo status, juve tju vij turp që gënjeni.
Mua kriminel nuk më thoni dot ju, i kam duart e bardha unë, jo të skuqura, nuk kam gjak në duar unë”.
(B.B/ Faxweb.al)