Nëna e njërit prej djemve të mitur të arrestuar në Kavajë për përdhunimin e një 13-vjeçareje pas shantazhit me videon e saj intime, ka treguar versionin e saj të ngjarjes.
Në një intervistë të transmetuar në emisionin “Open” në Top Channel, nëna e njërit prej djemve ka shpërthyer në lot teksa ka thënë se djali i saj po mbahet padrejtësisht pas hekurave.
Ajo tha se djali i saj nuk ka kryer marrëdhënie me 13-vjeçaren, por vetëm “e ka puthur dhe prekur”.
“Të dy janë minorenë, edhe djali im edhe vajza, pse duhet të gjykohen kështu?”, u shpreh nëna e djalit teksa ia hodhi fajin prindërve të vajzës 13-vjeçare, duke thënë se nuk u interesuan kur mësuan se vajza e tyre kishte të dashur.
“Ndjehem shumë keq, djalin ma kanë futur brenda pa të drejtë, ma kanë quajtur monstër. Jo nuk është e vërtetë vetëm puthje dhe prekje ka patur. Po kam folur edhe me çunin tim, mami po më mbajnë brenda pa drejtësisht. Minoren janë të dy pse duhet të gjykohen kështu. Një puthje dhe ka ik, asnjë gjë. Nuk e di ça kanë bërë çunat e tjerë, çuni im nuk e ka bërë unë e mbroj me shpirt çunin tim. Nuk është fëmija im ashtu si e gjykojnë ato, nuk kam për ta pranuar kurrë. Është në gjendje të keqe, shkoni pyetni aty doktorët i kanë bërë gjilpëra për ta vënë në gjumë. Ku donë gjë ata, ata janë fëmijë, kur prindi e dinte që goca kishte të dashur si nuk e pyeti njëherë, çështë ky i dashur? Do ta pranoje ti gocën tate të kishte të dashur 13-vjeç? Erdhën i morën që në 6 të mëngjesit”, deklaroi nëna e njërit prej djemve.
Ndërkohë pas këtij rrëfimi, deputetja demokrate Grida Duma, u shpreh pas deklaratës së nënës se për sa i përket çështjes nëse djali i saj ka kryer apo jo marrëdhënie seksuale verifikohet nga hetimi.
“Së pari një herë, ka qenë në dijeni ky djali, se ka kryer apo s’ka kryer marrëdhënie e verifikon hetimi. Pastaj e dinte ky djali që vajzës po i ndodhte kjo gjë, dhe nuk thoshte asgjë? A kemi solidaritet? Deri këtu të gjithë nënat apo çdo njeri mund ta kuptojë këtë, por a është ajo në dijeni se kanë kryer vepër penale se kushdo që nuk e ka kallëzuar këtë sot duhet të ishte nën arrest”, u shpreh Grida Duma.