Pedagogu i fakultetit të Ekonomikut Rezart Prifti ka folur ditën e sotme në Komisionin e Medias ku po mbahet një seancë dëgjimore me pedagogët për rishikimin e ligjit të arsimit të lartë.
Gjatë fjalës së tij, pedagogu Prifti tha: “Nuk na pyeti njeri ne, qoftë për ligj, qoftë për VKM. Ju harroni se ka ardhur një brez tërësisht i ri dhe i arsimuar jashtë më mirë se ato londinezët që ju sillni këtu dhe i paguani 1500 dollarë dita dhe ne kemi 140 për arsye se nuk na lejon konflikti i interesit të punës dhe na japin dhe mend”.
Gjithashtu pedagogu Prifti shtoi se duhet të theksohen 4 gjëra bazike, pra problemi i madh që ka sistemi arsimor i lartë është masivizimi, kurrikulat, mekanizmi i kontrollit dhe konkurueshmëria.
Jo vetëm kaq, por foli edhe për shitjen e librave në këmbim të votës.
“Ai që tregton libra për botën, hetoje, fute në burg vëlla! Ai që merr lekë për notën ik e hetoje çoje në burg, mos na pyet ne. Përse duhet të njollosem unë si 40 palaço që janë në universitete të lodhura apo rrethesh për një 50 eurosh të qelbur?!
Jo ore se nuk janë të gjithë pedagogët ashtu, sepse është çështje mendësie. Ka pasur raste kur gjyshja e bijës së botës më ka ardhur me 200 euro në zarf dhe i kam thënë: None, ik e bëja gocës dhuratë. Nuk bëhet jo punë kështu sepse kujtonte se bëhet kështu. Edhe kryeministri kujton se bëhet kështu ngaqë nuk e njeh.
Zotëri të bësh një libër duhet një qerre me lekë dhe një qerre me njerëz dhe nuk bëhen librat siç i sugjeron zotëria tek VKM-të, që do të ngrihet komisioni i lulushëve me radhë. Po si u bëka kështu?!
Njësoj si në kohën e qoftëlargut prapë. Ky ligj ka probleme, shkon ndesh me konkurueshmërinë, diversifikimin e arsimit të lartë, frymën e kërkim zhvillimit”, përfundoi Rezart Prifti.