Ish-juristi Lysien Ali është arrestuar nga Policia pasi akuzohet se ka kryer abuzime me tenderat tek Ministria e Drejtësisë.
Mësohet se Gjykata kishte caktuar “arrest me burg” për ish-juristin i cili prej 5 ditësh ishte në kërkim nga Policia.
Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.
Kujtojmë se hetimet më shumë se një-vjeçare të prokurorisë së Tiranës shkaktuan një furtunë të vërtetë në Ministrinë e Drejtësisë. Për këtë arsye fillimisht katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të këtij institucioni u vunë nën arrest, pas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe shkelje barazie në pesë tendera të zhvilluara përgjatë viteve 2016-2017. Në arrest shtëpie është dërguar ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha.
Dje gjykata ka rivlerësuar masën e sigurisë, ku ka vendosur që Juliana Hoxha të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpie, ndërsa ndaj Marsuela Aliaj, Doralda Muka, Arlin Arapi, Orgesa Goga, Eris Sheshi, Ethem Vigani, Ornela Bleda dhe Ilir Çuni u dha masa “Detyrim paraqitje”.
Hetimet kanë zbuluar faktin se përmes shpërdorimit të detyrës, zyrtarët i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh financiar. Në fokusin e prokurorisë ishin funksionarët publikë që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të vlerësimit të ofertave dhe komisioneve për mbikëqyrjen e zbatimit te kontratave.