Prej 8 ditësh dy persona rezultojnë të zhdukur në Tepelenë e Përmet. Sipas burimeve policore 32-vjeçari Sokol Rama nga fshati Mamaj i Tepelenës dhe shoku i tij nga Përmeti, Roland Milo janë deklaruar të zhdukur nga familjarët që prej më shumë se një jave. Fillimisht, është deklaruar i zhdukur nga të afërmit e tij 32-vjeçari Rama, ndërsa pak ditë më pas dhe Milo.
Sokol Rama, baba i dy fëmijëve të mitur është një emër i njohur për policinë lokale. Ai është person me precedent penal, i akuzuar për vjedhje, si dhe trafikant lëndësh narkotike, ndërsa dyshimet janë se zhdukja e tij dhe shokut të tij nga Përmeti ka lidhje me ndonjë prishje pazaresh droge.
Nga hetimet e deritanishme, forcat e policisë ende një javë pas denoncimit të familjarëve, nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tyre. Nga përgjimi i telefonave të Sokol Ramës policia arriti të bënte më herët identifikimin e sinjalit telefonik të njërit prej telefonave të përdorim të tij, në Frashër të Përmetit.
Burimet policore shprehen se dyshohet se dy të rinjtë mund të jenë përfshirë në ndonjë incident gjatë transportimit të lëndës narkotike drejt Greqisë. Por, nga ana tjetër, nuk përjashtohet as mundësia që dy personat të jenë fshehur në këtë zonë të thellë malore.
Fakti qe Rama është larguar edhe me një shumë të konsiderueshme parash me vete shton edhe më shumë dyshimet që të jetë i implikuar ne cështjet e drogës.