Policia greke ka zbardhur vrasjen e biznesmenit Aleksandro Stamatiadi, ngjarje e ndodhur një vit më parë gjatë grabitjes në banesën e tij në Athinë.
Autori është shqiptari Genci P., i cili u arrestua sot në Belgjikë në koordinim me autoritetet greke.
Ai përdorte kartë identiteti greke me emër të rremë, por është zbuluar nga njollat e gjakut të derrit të egër, shkruan portali grek “Zouglas”..
Në makinën që grabitësit dhe vrasësit e biznesmenit kishin braktisur, hetuesit grekë gjetën njolla gjaku. Analizat laboratorike konfirmuan se ato i përkisnin një derri të egër. Hetimet intensive të autoriteteve zbuluan në rrjetet sociale foto të shqiptarit Genci P. me derra të egër, i cili mesa duket e kishte pasion gjuetinë.
Mbledhja e provave të tjera dhe testet shkencore laboratorike bindën policinë e Athinës se shqiptari është i përfshirë në vrasjen e biznesmenit në fjalë.
Nga hetimet e deritanishme, autoritetet deklarojnë se shqiptari ka qenë në banesën e biznesmenit kur u vra gjatë grabitjes, madje dyshohet se ka qenë ai personi që e qëlloi tre herë me armën e gjahut.
Sipas hetuesve, Genci P. e kishte kuptuar që policia greke kishte rënë në gjurmën e tij dhe për këtë arsye ishte arratisur drejt Belgjikës me dokumente të falsifikuara. Destinacioni i tij përfundimtar dyshohet se ishte Britania e Madhe. Të përfshirë në vrasjen e biznesmenit janë edhe 3 shqiptarë të tjerë, të cilët dyshohet se fshihen në Shqipëri
Genci P. duket se ka qenë person i njohur për komunitetin e shqiptarëve në Athinë. Ai kishte një kompani përmes të cilës organizonte koncerte me këngëtarë shqiptarë në të gjithë Greqinë. Ai ishte person me precedent penal dhe ka qenë i dënuar më parë.