Plas te kryeministria, qytetarët thyejnë gardhin e policisë. Zaptojnë godinën.
Tashmë turma ka kaluar çdo gardh të policisë dhe një pjesë e qytetarëve po hyjnë në ambientet e brendshme të godinës.
Garda ndërkohë po hedh gaz lotsjellës nga tarraca e kryeministrisë si dhe po qëllon me fishekzjarre.
Ishte fjala e qytetarëve të Astirit ajo që ndezi turmën, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha thotë se shqiptarët do të kërkojnë arrestimin e Ramës.
Gazetarët e Fax News që ndodhen në terren thonë se ajri përpara kryeministrisë është rënduar shumë dhe e kanë të pamundur qëndrimin aty. Disa prej tyre kane ndjerë shqetesime te shumta prej gazit.
Për shkak të përplasjeve ka pasur 6 protestues të cilët janë transportuar me autoambulancë, mes tyre dhe një fotoreporter, të cilit i kanë dhënë qytetarët ndihmën e parë. Ndërkohë janë dhjetëra protestues të tjerë të cilët nuk janë ndjerë mirë për shkak të gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës që janë gjuajtur nga policia.
Krerët e opozitës deklarojnë se çarja e gardhit të policisë ishte e qëllimshme, në mënyrë që të nxiste edhe më shumë dhunën.
Basha: Hapja e kordonit policor, plan i Rames per te nxitur dhunen
Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë. Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit.
Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës. Ndërkohë me presionin më të vogël të turmës, që natyrisht që janë të irrituar sepse janë banorë të Unazës së Re, kanë shkuar për t’u prishur shtëpitë për t’u vjedhur 18 milionë euro, papritur shohim që hapet kordoni policor. Kjo do të thotë që ka një plan për të nxitur dhunë. Ka një plan për të nxitur dhunën që t’i drejtojë gishtin e akuzës opozitës dhe kjo është e papranueshme.
(E.K/FAXWEB.AL)