Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka komentuar vendimin e Lulzim Bashës për t’iu propozuar deputetëve të Partisë Demokratike djegien e mandateve pas mesazhit që dha sipas tij protesta e djeshme.
Manjani shprehet në një status në rrjetet sociale se, çdo opozitar duhet t’i bashkohet propozimit të Bashës për të djegur mandatet e këtij parlamenti monist thotë ai.
“Cilido që është opozitar duhet të bashkohet me propozimin e L.Bashës për të djegur mandatet e këtij Parlamenti monist!”
Ndërkohë kujtojmë se pas protestës së oraganizuar nga opozita ditën e djeshme, kreu i PD-së, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat u shpreh se ka vendosur që ti propozojë grupit parlamentar të PD-së djegien e mandateve.
Basha tha se e ka lexuar siç duhet mesazhin që i erdhi nga protesta. Ndaj ai tha se do ti propozojë grupit parlamentar që të marrin vendimin për të djegur mandatet.
“Ne përballë nuk kemi një kryemninistër dhe parti politike, por një bandë. Ka ardhur në pushtet nëpërmjet bandave dhe për llogari të bandave. Ju siguroj që unë e kam kuptuar mesazhin tuaj, ai është i qartë, kështu nuk vazhdohet më, kupa është mbushur dhe derdhur. Ne nuk do vazhdojmë të jemi fasadë e një parlamenti. Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta politike djegien e mandateve të deputeteve tanë”, tha ai.
Basha u shpreh se ky vendim merret në respektim të demokracisë dhe shtoi se kërkon qeveri tranzitore për të realizuar zgjedhje të parakohshme, të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë.
Këtë propozim të Bashës e ka komentuar edhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ku është shprehur në rrjetet sociale. “Personalisht kam kërkuar djegien e mandateve në mbledhjen e grupit parlamentar kohë më parë, uroj që grupi të marë vendimin e duhur pas propozimit të Bashës! Por pas shumë përpjekjesh dukej e vetmja rrugë, rruga e sakrificës! Prandaj kjo fundjavë do të mbahet mënd si fundjava ku qytetarët vendosën, fundjava e demokracisë!” – shkruan Salianji, duke lënë të kuptohet se shpreh dakortësi me kreun e PD-së për djegien e mandateve.
Edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratës së Bashës por pa thënë diçka konkrete në është dakort me propozimin e këtij të fundit apo jo. “Beteja kundër Ramës dhe bandave të krimit vazhdon. Nuk ka parë gjë akoma!”, – shkruan Kryemadhi në rrjetet sociale.