Bashkia Prrenjas është e vetmja bashki në qarkun e Elbasanit që nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2019.
Shkak për këtë është bërë bllokimi i buxhetit nga të majtët. Si pasojë e bllokimit të buxhetit mbyllen shërbimet parësore si kopshtet dhe çerdhet.
Prindërit thonë se janë njoftuar që nesër të mos i dergojnë fëmijët në çerdhe pasi do të jenë mbyllur.
Ndërsa kopshtet do të jeneë hapur por nuk do të ofrojnë ushqim për fëmijët.
Kryetarja e bashkisë Miranda Rira e cila është e zgjedhur në radhët e LSI-së është shprehur se kjo është e gjitha politike pasi shumicën në Këshillin bashkiak e ka e Partia Socialiste.
Ajo tha se i janë bërë shkresa Këshillit bashkiak, prefekturës dhe Kryeministrit Rama të cilët nuk kanë dhënë një përgjigje për ofrimin e kësaj çështjeje.
“Situata është alarmante pasi kopshtet dhe çerdhet nuk kanë ushqim, zyrat nuk kanë letër dhe bojë, punonjësit nuk kanë me çfarë të punojnë, të gjitha shërbimet janë të bllokuara. Kjo është diçka totalisht politike për të dëmtuar dhe penguar punën e kryetares së bashkisë”, – u shpreh përpara mediave Miranda Rira, kryetare e Bashkisë Prrenjas.
Ndërkohë qytetarët e Prenjasit kanë dalë në protestë për të kërkuar miratimin e buxhetit dhe kthimin në normalitet të çerdheve dhe kopshteve.
(F.GJ/FAXWEB.AL)