Me gjashtë vjet burg dhe ndalim i përhershëm që të punojë në zyrat publike është dënuar ish-kryetari i bashkisë së Romës, Gianni Alemanno.
Alemanno akuzohet për korrupsion dhe financim të paligjshëm duke punësuar në administratë persona me precedent penal.
Ndërkohë nga ana e tij ish-kryebashkiaku është shprehur: “Unë jam i pafajshëm, e kam thënë gjithnjë dhe do ta përsëris para gjyqtarëve në Apel. Ne do të paraqesim me siguri një rekurs sapo të lexojmë vendimet e gjykimit të shkallës së parë”, – u shpreh për mediat italiane Alemanno.
Ky proces gjyqësor vjen pas bërjes publike të skandalit ‘’Mafia e Kryeqytetit’’ që tronditi mbarë opinionin publik italian në 2015.
Hetimi zbuloi një rrjet të gjerë, ku janë të përfshirë 46 persona, kriminelë por edhe biznesmenë dhe politikanë që kanë korruptuar bashkinë e Romës.
Kreu i këtij rrjeti ishte Massimo Carminati, një ish-aktivist i ekstremit të djathtë i dënuar më parë si pjesëtar i një grupi kriminal të kryeqytetit në vitet ’80.
Alemanno ishte “politikan i referencës së organizatës Mafia Capitale brenda administratës komunale”, dhe ishte mbështetës i Tescarolinit, për shkak të rolit të tij si kryetar i bashkisë, në periudhën 29 prill 2008 – 12 qershor 2013.
(F.GJ/FAXWEB.AL)