Disa ditë pas djegies së mandateve nga deputetët e opozitës, KQZ i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të plotësojë vakancat.
Çdo kandidat duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit, ndërsa ligji shprehet se afati i dorëzimit është brenda 10 ditëve.
“Ligji i kërkon KQZ-së që të kontaktojë kandidatët sipas rradhës dhe të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. Kandidatët kanë afat 10 ditë të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit”, u shpreh Drilona Hoxha, përfaqësuese e KQZ-së.
Ndërkohë nuk dihet ende si do të vijohet me kandidatët e listave të partive opozitare për të plotësuar 57 vendet bosh pasi pothuajse të gjithë kanë firmosur në selitë përkatëse të partive opozitare se vullnetarisht refuzojnë të marrin mandatin e deputetit.
Nga radhët e PD-së deri më tani kanë refuzuar të dorëzojnë mandatin e deputetit Myslym Murrizi, ndërsa Rudina Hajdari ende nuk është shprehur për vendimmarrjen e saj.
Ndërsa nga LSI, Lefter Koka është deklaruar publikisht se nuk do të djegë mandatin e tij duke u shprehur me gjuhë të ashpër dhe ndaj PD-së dhe ish-liderit të saj Sali Berisha.