Edhe pse lajmet nga brenda sallës së Kuvendit janë të pakta, mediat kanë fiksuar provokimin e qeverisë ndaj protestës së opozitës.
Zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali nuk ka kursyer sulmet ndaj opozitës gjatë fjalës së saj në parlament. Në sallën e Kuvendit, Spiropali e ka quajtur opozitën “plaçkë” që shqiptarët duhet ta hedhin në kosh pasi “do të lindë një opozitë e re”.
“Dua t’i kujtoj një shprehje të Çerçiz Topullit, “kush lufton për plaçkë, plaçkë është edhe vetë”. Shqiptarët do t’i degdisin në koshin e historisë dhe nga ajo mund të lindë një opozitë e re nga shqiptarët dhe për shqiptarët”,-deklaroi Spiropali.
Ndërkohë qytetarët vijojnë të mbajnë të rrethuar Kuvendin, duke kyçur deputetët e PS-së në sallë.