Përfaqësuesit e Parlamentit Europian zhvilluan një takim me opozitën dhe përfaqësuesit qeverisë gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë, ndërsa me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit kanë refuzuar të takohen. Kjo ka sjellë që kjo e fundit t’u dërgojë një letër të hapur eurodeputetëve, ku shprehet se ndjehet e zhgënjyer pasi kanë pritur që të takoheshin me to.
Aleanca në letrën e hapur sqaron se aktivitetet e tyre në terren përfshijnë gjithashtu Komisionin Evropian dhe anëtarët e Parlamentit të BE, të cilët me anë të një liste pyetjesh ndërhynë në qeverinë Shqiptare për të parandaluar rastet abuzive siç është shembja e Teatrit.
Pjesë nga letra:
Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,
Ne u zhgënjyem që e hodhët poshtë kërkesën tonë për t’u përfshirë një takim të organizuar me organizatat e shoqërisë civile. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup artistësh dhe qytetarësh të interesuar, ka qenë në gjendje t’i rezistojë përpjekjes jokushtetuese për të prishur ndërtesën e Teatrit Kombëtar për më shumë se një vit, falë një proteste të vazhdueshme ditore që është ende në vazhdim. Aktivitetet tona në terren përfshinin gjithashtu Komisionin Evropian dhe anëtarët e Parlamentit të BE, të cilët ndërhynin me një listë pyetjesh drejtuar qeverisë shqiptare dhe një kërkesë për të vepruar në përputhje me standardet e MSA-së gjatë kësaj çështjeje.
Përforcimi dhe promovimi i “shoqërisë civile”, për të vepruar si pengesë kundër vendimeve abuzive të qeverisë, ka qenë një objektiv afatgjatë i BE-së. Shuma të mëdha të parave të taksapaguesve e vropianë janë përdorur për të avancuar këtë agjendë në pothuajse të gjithë Evropën Lindore. Organizimi i grupeve qytetare që mbajnë qeveritë përgjegjëse, flasin për sundimin e ligjit dhe mbështesin standardet demokratike, ka qenë ambicia e kësaj ndërmarrjeje. Siç mund ta dini mirë, rezultatet nuk kanë qenë gjithmonë të suksesshme. Përkundër të gjitha përpjekjeve dhe financimit, rezultatet e prekshme janë ende të kufizuara, përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje mbetet e kufizuar dhe e izoluar, ndërsa progresi i përgjithshëm demokratik në të gjithë rajonin ka qenë në stanjacion, apo edhe në regres. Për fat të mirë, Aleanca ka qenë në gjendje të bëjë pikërisht atë që paraardhësit e zgjerimit të BE e kishin ëndërruar. Ajo ka qëndruar për vlerat, të drejtat ligjore, parimet demokratike dhe në këtë mënyrë ka forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë për të organizuar dhe për të folur.
Kjo është arsyeja pse vendimi juaj për të mbajtur një takim me organizatat e shoqërisë civile pa praninë e Aleancës është tepër i çuditshëm dhe vështirë për tu kuptuar në këtë moment. Ndërsa ne shpresojmë sinqerisht se takimet tuaja dje dhe sot kanë qenë në gjendje t’ju japin një pamje të plotë dhe të paanshme për ngjarjet aktuale në Shqipëri, ne vazhdojmë ta konsiderojmë atë si një vendim të trishtueshëm që zërat dhe pikëpamjet e rëndësishme u mbyllën nga kjo ngjarje.
Sinqerisht,
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit