Është liruar nga burgu Ervin Mata, i cili u vetëdorëzua jo më larg se dy ditë më parë në Policinë e Tiranës. Edhe pse prokuroria ka kërkuar arrest me burg, gjykata ka dhënë vetëm detyrim paraqitjeje për Matën, biznesmen i fuqishëm në fushën e ndërtimit. Mata është përfolur për një miqësi të fortë me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, madje ka akuza se ata kanë udhëtuar së bashku në drejtim të Gjermanisë.
Ervin Mata ishte shpallur në kërkim që prej muajit Tetor, kur ndodhi ngjarja në ish-Bllok, dhe duket se ka marrë të gjitha garancitë se do të lirohej, sa kohë që vendosi që të vetëdorëzohej vetë në Polici.
Tashmë për ngjarjen dhe vrasjen e ndodhur i dyshuar kryesor mbetet komandoja Mervjol Bilo, kushëriri i këngëtares Elvana Gjata. Po ashtu ende në kërkim është dhe Eldi Dizdari, i cili është dhe partneri i ish-misit Suada Sherifi.
I vetmi që qëndron në burg për përplasjen në armë në ish-Bllok është vetëm Ervis Martinaj, ndërsa më herët u lirua nga burgu dhe Eljon Hato. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë dhe gjendja e tij shëndetësore çoi në lirimin e tij. (Lexo ketu)
Avokati mbrojtës i Matës është shprehur se klienti i tij është sulmuar, dhe vetë ai nuk ka qenë i armatosur ditën se kur ndodhi ngjarja.
Mata në dëshminë që ka dhënë në polici është shprehur se nuk ka qëlluar dhe është larguar nga të shtënat. Ndërkohë që vetë Mata nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme.
(E.K/FAXWEB.AL)