Policia greke ka gjetur në kufirin greko-shqiptar një çantë që përmbante 11 pistoleta, 8 shpata, 4 thika, një thikë të madhe si dhe 2 fishekë Kallashnikovi.
Mësohet se çanta me armë dhe sende të tjera është gjetur sot në mëngjes në një zonë të pyllëzuar në Kalpaqi të Janinës.
Armët dhe fishekët do të dërgohen në Divizionin e Hetimeve Kriminale të Greqisë Veriore për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. Një hetim paraprak i çështjes po kryhet nga Divizioni i Sigurisë i Janinës, ndërsa hetimet janë në proces për të identifikuar dhe arrestuar personat e lidhur me rastin.