Gjykata e shkallës së parë për krime të renda ka dhënë vendimin për grupin që trafikoi rreth 2.5 ton kanabis në drejtim të Italisë.
Kështu Aurel Lazaj është dënuar me 12 vite burg, nga 16 që kishte dhënë pretencën Prokuroria për arsye se është dëshmitar i mbrojtur i drejtesise, Euron Hoti 15 vite burg, Malton Lleshi 13 vite burg, Gëzim Dervishi 2 vite burg për shperdorim detyre, Agron Kapllani 2 vite burg për shpërdorim detyre, Mikail Hilaj 2 vite burg, dhe Altin Katundi është shpallur i pafajshëm.
Karta e fortë e prokurorisë në këtë proces ishte rrëfimi i të penduarit Aurel Lazaj. Ai sqaroi gjithë mekanizimin e trafikut, personat e përfshirë në të si edhe ndihmën e zyrtarëve të policisë apo doganës. Në dëshmi Lazaj ka rrëfyer edhe për përfshirjen e tij të mëhershme në trafikun e kanabisit, ku droga kalonte kufirin përmes kamionëve që transportonin mermer.
Sipas prokurorisë, kamioni me 2.5 tonë kanabis u bllokua në Ankona për shkak të një problemi me dokumentacionin. Të pandehurit dërguan një tjetër kamion me qëllim ndërrimin e targave dhe shkëmbimin e tyre. Por kjo orvatje u diktua nga policia italiane dhe më pas u realizua edhe gjetja e drogës. Sipas hetimit, pritës i drogës në Gjermani ishte Euron Hoti.
(E.K/FAXWEB.AL)