Policia e Tiranës në bashkëpunim me Gjykatën e Tiranës kanë vënë nën sekuestro prona me vlerë më shumë se 2 milionë euro, që i përkisnin vëllezërve Alket dhe Armando Gorezi.
Armando Gorezi është arrestuar në vitin 2015, në Tiranë, pasi ishte shpallur në këkrim nga autoritetet italiane për vrasjen e një shqiptari (Indrit Kuçi) në vitin 2011 në Torino të Italisë.
Ai është ekstraduar në Itali, për këtë krim, ku qëlloi për vdekje Kuçin në gusht të vitit 2011 me 6 plumba pistolete, ndërsa si shkak i kësaj vrasje rezultoi prishja e pazareve për tregun e drogës dhe prostitucionit.
Gjithashtu ndaj tij, Prokuroria e Beratit ka rinisur procedim penal për veprën penale të “Trafikimit të personave”, pasi Armando Gorezi dyshohet të këtë trafikuar një vajzë me inicialet E.K. e cila është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana si person i humbur.
Njoftimi i policisë për sekuestrimin e pasurive:
Finalizohet operacioni i koduar “Vllazëria” nga Seksioni i Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Sekuestrohen nëntë apartamente, dy dyqane dhe një garazh, pasuri këto të dyshuara të përfituara nga të ardhura të rrjedhura nga aktiviteti kriminal.
Seksioni për Pastrimin e Parave në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në funksion të procedimit penal të vitit 2018 “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në ngarkim të shtetasve A. G., 44 vjeç dhe A. G., 47 vjeç (vëllezër), finalizoi operacionin policor të koduar “Vllazëria”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës dhe sekuestrimi preventiv i :
– nëntë apartamenteve
– dy dyqaneve
– një garazhi (të ndodhura në qytetin e Tiranës dhe Durrësit të cilat kapin vlerën e dy milion e dyqindmijë euro).
Pas një pune disa mujore në funksion të procedimit të rregjistruar duke përdorur metodat speciale të hetimit, janë identifikuar pasuri të cilat nuk justifikoheshin nga ana ekonomike e financiare dhe rridhnin nga aktiviteti kriminal i dy vëllezërve.
(E.K/FAXWEB.AL)