Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufka, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me idenë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për “korrigjim kufijsh” në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.
Konjufka ka deklaruar për televizionin T7, se “ndodhemi në një situatë ku shumë faktorë ndërkombëtarë, edhe nga ata që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, presidenti i ka bindur që Kosova me Serbinë duhet t’i ndërrojnë kufijtë”.
Sipas Konjufkës, nuk qëndrojnë pohimet e bëra nga aktorë të ndryshëm se projekti i Thaçit për kufijtë nuk do të zbatohet.
“Është thënë se projekti i presidentit ka shkuar duke vdekur, por mendoj se nuk ka përfunduar. Unë konsideroj se projekti i presidentit është gjallë ende. Ai s’e ka problem platformën”, ka deklaruar ndër të tjera zyrtari i lartë i Vetëvendosjes.
(F.GJ/FAXWEB.AL)