Lidhur me ndërhyrjet që po kryhen në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës ka pasur një reagim nga këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës.
Një përfaqësi nga ky Këshill, ka kërkuar takim urgjent të premten në mesditë me firmën zbatuese dhe mbikqyrëse të projektit në fjalë, përfshirë edhe TID.
Skepticizmi gjithnjë e në rritje i qytetarëve gjirokastrit për cilësinë e punimeve që po ndërmerren në pjesën më të bukur të qytetit, ka gjetur përkrahje tek këshilltarët e djathtë dhe të majtë të cilët kanë kërkuar me ngulm këtë ballafaqim publik me firmën që po zhvillon punimet për rikonstruktimin e Pazarit.
Pritet të ketë debat të madh pasi nuk janë respektuar elementët fillestarë të punëve në terren duke përfshirë shkatërrimin e formës së gurëve dhe pllakave nga punëtorët e krahut duke u treguar të pakujdesshëm, si dhe për betonizimin e kalldrëmit të hershëm duke shuar gjurmët e vjetra të Pazarit Karakteristik këtu e 110 vjet më parë.