Ky sezon, mund të quhet i dështuar për Realin e Madridit, me madrilenët që janë jashtë garës në të gjitha kompeticionet. Presidenti, Florentino Perez pasi dështoi për të gjetur zëvendësuesit e denjë të trajnerit Zinedin Zidan ,vendosi ta rikthej sërish francezin në krye të stolit.
Por, duket se këtë herë, Zidan do të ketë dorë të lirë në klub, dhe do të jetë ai që do të marri vendimet për futbollistët që do të afrohen në skuadër gjatë merkatos verore. Në këtë mënyrë, Zidan do të kërkojë të përforcojë fillimisht repartin ofensiv, i cili me largimin e Kristiano Ronaldos, ka humbur shumë gola, ndërsa Benzema apo Bejl nuk kanë qenë në pritshmëritë e para sezonit, shkruan vipsport.
Sulmuesi që Zidan preferon është Sadio Mane, i Liverpulit. Në fakt interesi i teknikut për senegalezin, nisi që sezonin e shkuar, por mbeti pezull pas largimit të Zidan nga Reali. Megjithatë, tashmë francezi është sërish trajner i madrilenëve dhe mesa duket interesi për Mane, nuk ka ndryshuar. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë për Realin të shkëpusë një armë tepër të rëndësishme për Jurgen Klop, edhe pse Perez është i gatshëm të sakrifikojë për të plotësuar dëshirën e Zidan.