Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se këtë parti tashmë e drejton ajo duke argumentuar se presidenti Ilir Meta nuk mund të ndërhyjë.
“Nuk e komentoj fare presidentin. Opozita është në pozicionin e saj. Po të ishte Ilir Meta, nuk do t’i kishte djegur mandatet. Sot jam unë kryetare e LSI-së, e marr unë përsipër përgjegjësinë. Mund të kem marrë vendim të gabuar, mund të humbim në betejën tonë, por ama di të them vetëm një gjë: që përballja jonë morale me opinionin publik sot më shumë se kurrë kemi një grup nga klasa politike që ka mbajtur një qëndrim moral për tu distancuar një herë e mirë nga ai imazh që është krijuar për politikanët. Edhe nga ne, por edhe nga të tjerët, kemi krijuar imazhin e deputetëve që kanë halle personale, që zgjidhin biznese personale, mbulojnë të kaluarën kriminale duke qene deputet në parlament etj, etj.”, theksoi zonja Kryemadhi.
A keni folur me presidentin për këtë krizë?
Unë jam e bindur se sa i takon krizës ju keni shanse të flisni më shumë me Presidentin mund të them. Si kryetare e LSI komunikimi me Presidentin e Republikës është zero. Si bashkëshorte komunikojmë për problemet me fëmijët tanë. Për politikë nuk flasim. Absolutisht nuk mund të ndërhyjë dhe nuk mund të intimidojë dot asnjë ish-deputet të LSI-së dhe as drejtues të LSI-së, sepse sot LSI ndihet më e shëndetshme dhe më e çliruar se më përpara.
Unë nuk bëj politikë me Ilir Metën, unë bëj dashuri me Ilir Metën, se burrë e grua jemi”, tha Kryemadhi në përgjigje të komentit të analistit Mustafa Nano, i cili tha se nuk i pëlqen “pingpongu” i Presidentit me kryetaren e LSI-së, që janë edhe burrë e grua./Opinion.al