Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Paradën e Forcave të Armatosura me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Rama u shpreh se Shqipëria ka rreshtur së qeni një bazë e mbrojtjes nga NATO për t’u kthyer në një bazë të rilindur të NATO-s.
“Do të jetë një prej bazave më të mëdha e më moderne të NATO-s në rajon. Është një nga simbolikat më të bukura të jubileut, pasi baza do të rreshtë së qeni një bazë për t’u mbrojtur nga NATO dhe do kthehet në një bazë të rilindur.”
Në fjalën e tij Kryeministri i ka kushtuar vëmëndje marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit dhe paqen ku rol kryesor ka pasur NATO.
“Falë NATO-s Ballkani gëzon një periudhe paqeje dhe bashkëpunimi me një qasje integruese ushtarake politike e ekonomike dhe sociale.
Ne nuk jemi më armiqtë e njëri –tjetrit po jemi bashkë ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Shteti islamik nuk është mposhtur akoma dhe doktrina e tij nuk shfaroset me forcën e armëve po me bashkëpunimin strategjik mes vendeve të NATO-s”, u shpreh kryeministri.
”Një pikë e rëndësishme e axhendës së vendeve anëtare duhet të jetë kriza e refugjatëve të Mesdheut dhe atyre sirianë sulmet kibernetike si dhe kujdesi që duhet të kenë këto vende me ligjet e NATO-s”, vijoj me tej kreu i qeverisë.
“Integrimi i Maqedonisë së Veriut ka krijuar një hapësirë të gjerë dhe ka forcuar stabilitetin e Ballkanit dhe ka çuar drejt mbushjes së një boshllëku që ka ekzistuar. Në mënyrë që paqja e brishtë në rajon mos të sfidohet në të ardhmen është e domosdoshme që Kosova të jetë pjesë e NATO-s.” tha Rama.
“Do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës”, shtoi ai.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ësht moment krenarie dhe reflektimi se çfarë është bërë dhe se çfarë duhet bërë. Forcat e armatosuara janë më të mirëstërvitura, më të mirë paguara por ka ende shumë punë për të bërë. Qeveria ka çuar në 2 % buxhetin e shtetit për Forcat e Armatosura”, përfundoi kryeministri.