Për shkak të ngërçit që ka krijuar Vetingu në të gjithë sistemin gjyqësor në Shqipëri, Gjykata e Lartë me një njoftim për mediat ka deklaruar se numri i dosjeve të akumuluar për shqyrtim është shumë i lartë.
Sipas njoftimit bëhet me dije se në Gjykatën e Lartë presin shqyrtim 31 mijë dosje, duke shënuar kështu rritje sepse vetëm disa muaj më parë ishin mbi 25 mijë dosje të stivuara në këtë institucion.
Nga dosjet aktuale të cilat presin gjykimin përkatësisht janë 16.000 dosje civile, 10.000 dosje administrative dhe 5.000 dosje penale.
Ndërkohë që 3 gjyqtarët e mbetur në këtë gjykatë vetëm ditën e enjte kanë kanë marrë vendime për rreth 130 dosje të tilla.
Deklarata e plotë e Gjykatës së Lartë:
Në përfundim të tremujorit të parë të vitit 2019 bëjmë me dijë se, në Gjykatën e Lartë, megjithëse në përbërje vetëm me tre gjyqtarë, vazhdon shqyrtimi i dosjeve gjyqësore të regjistruara, përfshirë këtu edhe çështje të themelit.
Për shkak të situatës së krijuar me të cilën përballet sot kjo gjykatë, përparësi i është dhënë shqyrtimit të çështjeve më urgjente ma natyrë civile, administrative dhe panale. Vetëm ditën e enjte, datë 28.03.2019, trupa gjyqësore arriti të marrë vendime për rreth 130 dosje të tilla. Ndërkaq edhe këshilltarët e mbetur (aktualisht 9), vazhdojnë studimin e dosjeve dhe hartimin e relacioneve përkatëse, bazuar në Urdhrin e Brendshëm të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Aktualisht numri i dosjeve të regjistruara në Gjykatën e Lartë, për periudhën e siperpërmendur, është rreth 31.000, prej të cilave 16.000 dosje civile, 10.000 dosje administrative dhe 5.000 dosje penale.
(s.a/faxweb.al)