Një nga një ambasadorët e vendeve të QUINT-it, dolën në mbështetje të kolegut të tyre zviceran, ambasadorit Jean Humbert Lebet, pasi një ministër në qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se “po të pyetej ai, do ta largonte ambasadorin zviceran nga Kosova”. Kjo deklaratë e ministrit në qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, për ambasadorin zviceran erdhi pas deklaratave të tij gjatë një përurimi të një ujësjellësi në komunën e Skënderajt, investim zviceran, ambasadori zviceran Lebet, tha se nuk është normale që qeveria e Zvicres të investojë në ujesjellës e qeveria e Kosovës paguan veteranë të gënjeshtërt të luftës. “Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. Nuk jemi të lumtur të shohim, nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë, nëse të hollat ruhen, jo për të financuar veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit”, tha ambasadori Lebet.
Reagimi i ministrit kosovar
Kjo deklaratë nuk i pëlqeu një ministri kosovar, Pal Lekaj, i cili gjatë një interviste në një televizion lokal tha se, “ambasadori duhet me qenë i kujdesshëm, në deklarime të tilla para masës së njerëzve”. “Nuk është ambasadori me u marrë me të gjitha ato. Unë përulem para ndihmave, sepse nëse dikush ka marrë fonde prej Zvicrës jam unë. Por, publikisht para qytetarëve ta lidhë një çështje të investimeve me një çështje që është e ndjeshme dhe t’i quaj mashtrues veteranët është e pakuptimtë”, ka thënë Lekaj.
Deutscher Botschafter im Kosovo Christian Heldt (DW/B. Shehu)
Christian Heldt
Mbështetje nga ambasadorët e tjerë
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt e mbështeti deklaratën e ambasadorit zviceran Jean Humbert Lebet, i cili adresoi kritika ndaj institucioneve të Kosovës. “Kolegu zviceran tha atë që shumë prej nesh mendojnë. Ne si bashkësi ndërkombëtare jemi të angazhuar për të ndihmuar. Gjermania dhe Zvicra përkrahin me 10 milionë euro Kosovën për ujë dhe trajtim të ujërave të zeza që nga viti 1999, jemi krenarë për atë që bashkëpunimi ynë me Kosovën ka arritur tek njerëzit! Por atëherë edhe pyetjet janë legjitime për shpenzimet e qeverisë. Jo mbi parimin e pensioneve, por për mënyrën se si ato menaxhohen. Për shkak se ne duhet t’ua shpjegojmë taksa paguesve, se përse po e bëjmë atë që po e bëjmë për të mirën e njerëzve në Kosovë”, ka shkruar ambasadori gjerman Christian Heldt.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili tha se “ka ardhur koha që populli i Kosovës ta dojë vendin dhe të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. “Ambasadori Zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë. Është koha që populli, i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë”, shkroi ambasadori Ruari O’Conell. Në mbështetje të ambasadorit zviceran, dolën edhe ambasadori francëz dhe ai italian.
Partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK ndërkaq, e quan skandaloze deklaratën e ministrit kosovar Pal Lekaj, drejtuar ambasadorit zviceran. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se ministri Lekaj duhet shkarkuar nga detyra, se “është i pa precedent rasti që një ministër i Qeverisë së Kosovës kërkon largimin e një ambasadori. Dhe atë të Zvicrës, ku janë mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës. Në paratë që Zvicra shpenzon në Kosovë përfshihen edhe taksat e këtyre 200 mijë qytetarëve të Kosovës që i paguajnë në Zvicër. Prandaj, është më se legjitime të kërkohet llogari dhe shpenzim adekuat nga ana e Ambasadorit. Vetëm shkarkimi i këtij ministri mund të jetë i mjaftueshëm si kërkim falje ndaj një vendi mik si Zvicra”, shkroi në profilin e tij, Avdullah Hoti.
Edhe ministri i Jashtëm kosovar Behgjet Pacolli, në emër të qeverisë së Kosovës në një deklaratë për medie, thotë se Konfederata Helvetike, së bashku me SHBA, Gjermaninë, Francën, Britaninë, Italinë dhe vendet e tjera perendimore, ka mbështetur fuqishëm rrugëtimin e Republikës së Kosovës në të gjitha etapat. “Miqtë dhe aleatët kanë dhënë dhe po japin kontribut tê madh, për ardhmërinë e këtij vendi andaj të gjithë ne, duhet t’i dëgjojmë me shumë vëmendje këshillat dhe sugjerimet e tyre. Sa here kemi qenë bashkë me aleatët, kemi dalë fitimtar. Ne do të vazhdojmë bashkë dhe kemi çfarë të mësojmë nga një demokraci qindra vjeçare sikurse është Zvicra”, thotë në deklaratën e tij shefi i diplomacisë kosovare Behxhet Pacolli.
Pas gjithë këtyre reagimeve, ministri në qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, takoi ambasadorin zviceran, nuk tha ti ketë kërkuar falje, por, tha se deklarata e tij për ambasadorin është nxjerrë nga konteksti. “Ministri Lekaj, në asnjë moment nuk ka kërkuar largim të Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, e aq më tepër të kundërshtoj një shtet mik për Kosovën. Në deklarimin e tij, Lekaj ka theksuar se do të duhej një letër sqaruese për akuzat se veteranët në Kosovë janë të rrejshëm, për çka institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë një vendim”, thuhet në komunikatën e zyrës së ministrit të Infrastrukturës në qeverinë e Kosovës, Pal lekaj. DW