Gjykata e Tiranës ka përfunduar seancën dhe ka dhënë vlerësimin e masës së sigurisë, për 7 protestuesit e arrestuar dy ditë më parë në protestën e opozitës.
Gjatë seancës, prokurora ka kërkuar masën “Arrest në burg” për 5 protestues si dhe masën “Detyrim paraqitje” për dy të tjerët. Ndërkohë që mbrojtja e ka konsideruar arrestimin si të paligjshëm duke kërkuar një masë sigurie më të butë.
Në përfundim të seancës gjyqtari, vlerësoi të ligjshëm arrestimin duke caktuar masën “detyrim paraqitje” për të 7 protestuesit Olsi Kasemi ,Luis Buzheri, Maringlen Meçja, Gjok Drezhaj, Aleksander Prenga, Agim Sallaku dhe Shefqet Sefaj.
Të arrestuarit, janë nën masë sigurie vetëm për kundërshtimin e punonjësit të policisë. Ndërkohë nga shqyrtimi i provave, sipas gjykatës, rezulton se të arrestuarit, kanë shtyrë kordonin e policisë gjatë protestës.