Katër ish-punonjës të sigurisë shtetërore serbe janë dënuar me 100 vjetë burg në total nga Gjykata e Lartë e Beogradit, pas vrasjes së gazetarit dhe redaktorit Slavko Curuvija, në vitin 1999.
Gazetari Slavko Curuvija ishte i njohur për kundërshtimin e tij ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviçit, dhe kjo mendohet të ketë qenë edhe arsyeja e ekzekutimit të tij.
Ish-kreu i Sigurisë Shtetërore të Serbisë Radomir Markoviç dhe oficeri i shërbimit të sigurisë Milan Radonjiç u dënuan nga gjykata me 30 vjet burg, ndërsa agjentëve të shërbimit sekret Ratko Romic dhe Miroslav Kurak secili u dha 20 vjet burg.
Nga investigimet bëhet me dije se ekzekutimi i gazetarit Curuvija, ishte një plan i ish kreut të Sigurisë Serbe Markoviç, i cili i tha Milan Radonjiçit për planin e vrasjes së gazetarit kritik, dhe ky i fundit bëri një marrëveshje duke përfshirë në plan edhe dy agjentët e shërbimit sekret Romic dhe Kurak për të kryer ekzekutimin. Ndërkohë në vendimin e saj, gjykata tha se një “person i panjohur” kishte urdhëruar goditjen.
Gazetari Curuvija, u ekzekutua me armë në prill të vitit 1999 jashtë banesës së tij, ndërkohë gjyqi për vrasjen e tij u hap në 2015, 16 vjet pas vdekjes së tij. Sipas “Reporterëve pa kufijë” është hera e parë në historinë e kohëve të fundit që burgoset dikush për vrasjen e një gazetari.
Po ashtu për vendimin ka reaguar edhe Fondacioni Slavko Curuvija, përfaqsues të së cilit në një deklaratë u shprehën se: “Kjo tregon një mesazh të qartë, se krimet kundër zërave të ndryshëm nuk mund të mbeten të pandëshkuara”– transmeton BBC.