Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar lidhur me kallëzimin penal që IKMT ka ngritur në drejtim të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, ku e akuzon për dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të paligjshme.
Basha thotë se ky është një sulm politik ndaj Sakjas, i udhëhequr nga vetë Edi Rama, që ka në drejtimin e bashkive kryesore të vendit, njerëz të korruptuar dhe që drejtojnë trafiqet e drogës.
‘’Ky sulm politik është i orkestruar nga një kryeministër hakmarrës, që nuk e pranon dot se qytetarët në Kavajë nuk drejtohen më nga një përdhunues dhe trafikant droge apo grabitës pronash në bregdet”, shkruan mes të tjerave Basha në postimin e tij në Facebook.
Reagimi i plotë i Bashës:
Kallëzimi penal kundër Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, është sulm politik kundër kundërshtarit politik, i parathënë nga Edi Rama disa javë më parë. Ky sulm politik është i orkestruar nga një kryeministër hakmarrës, që nuk e pranon dot se qytetarët në Kavajë nuk drejtohen më nga një përdhunues dhe trafikant droge apo grabitës pronash në bregdet.
Kallëzimi politik penal kundër Isa Sakjas vjen nga i njëjti kryeministër i korruptuar dhe i lidhur me krimin që vazhdon të mbrojë Vangjush Dakon, i cili betonizoi Durrësin dhe plazhin e tij, duke u dhënë pasuri publike kriminelëve me të cilët bleu votat.
Kallëzimi është urdhëruar nga kryeministri i Qazim Sejdinit, që komandon trafikun e drogës në Elbasan dhe e ka bërë qytetin plaçkë betoni të bandave. Sulmi politik ndaj kryebashkiakut të Kavajës vjen nga i njëjti kryeministër që, bashkë me shërbëtorin e tij, Erion Veliaj, kanë betonizuar Tiranën, duke e shndërruar në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan.
As kallëzimet politike, as gazi lotsjellës, as propaganda nuk e ndihmojnë dot më Edi Ramën. Kryeministri më i korruptuar sot në Europë e ka humbur Kavajën dhe, shumë shpejt, ka për të humbur gjithë Shqipërinë!
(E.K/FAXWEB.AL)