Jo më larg se para disa ditësh është zyrtarizuar trajneri i ri i Kombëtares,Edoardo Reja. Një tjetër italjan në stolin e trajnerit të kombëtares shqiptare.
Ish-kapiteni Cana e ka komentuar prurjen e re të FSHF-së si një nga prurjet më të mira të kombëtares përpos karrierës por dhe moshës.
Ish-kapiteni, Lorik Cana, ka pasur rastin të stërvitet prej tij e ta ketë trajner 73-vjeçarin te Lazio, ndaj e njeh mirë atë.
Për pasojë, fjala e rekordmenit të ndeshjeve me kombëtaren ka më shumë peshë, në vlerësimin që jep për këtë zgjedhje të presidentit Armand Duka.
Tashmë në rolin e analistit sportiv të Champions-it, Loriku ka analizuar profilin e trajnerit të ri. Për “Tring Sport”, ai ka nënvizuar:
“Edoardo Reja është një trajner me eksperiencë shumë të madhe. Me shumë mundësi, një nga trajnerët, që besoj se ka moshën më të madhe jo vetëm në Itali, por në mbarë futbollin. Ne kemi pasur edhe Bariç, por ky vjen me moshë më të madhe. Unë e kam pasur Reja-n trajner te Lacio, në sezonin 2011-2012 dhe në vitin 2014. E njoh mirë. Kur një trajner ka moshë 73-vjeçare dhe shumë përvojë, qëllimi është i qartë me të: të stabilizohet ekipi dhe të merret më e mira deri në nëntor, së paku. Mirëpo, kjo pjesa që nuk ka absolutisht asnjë lloj përvoje, përveç kampionatit italian, ngre pak pikëpyetje. Reja është një person që e njeh mirë futbollin dhe shpresojmë që të arrijë të marrë më të mirën nga ky ekip”.- tha Cana.