Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Malin e Tomorrit, pikërisht në zonën e shpatit të malit, ku ndodhen edhe karrierat e gurit dekorativ. Shoferi i një nga firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ, ka humbur kontrollin e mjetit dhe është rrëzuar me kamionin që ishte i ngarkuar me pllaka guri.
Si pasojë e aksidentit, 36-vjeçari Besnik Sali Kanani, ka humbur jetën. Viktima 36-vjeç Besnik Kanani, jetonte në fshatin Fushë-Peshtan të Poliçanit dhe ishte babai i 3 fëmijëve.
Ai punonte prej vitesh si shofer kamioni në firmat e nxjerrjes dhe përpunimit të pllakave e gurit dekorativ në Malin e Tomorrit. Edhe pse prej gati një vitit Ministria e Mjedisit ka revokuar të gjitha liçencat dhe ka pezulluar punën e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në Malin e Tomorrit, firmat vijojnë sërish punën, pa u shqetësuar aspak dhe duke mos përfillur ligjin.
Burimet mes punëtorëve të këtyre firmave konfirmojnë se, në Malin e Tomorrit puna nuk është ndërprerë asnjëherë dhe se vazhdon të nxirren pllaka guri, duke rrafshuar qafën e malit, në fshatrat: Dërvi, Novaj e Nishovë.