Pas protestës së 16 shkurtit opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetëve, në shenjë proteste kundër mazhorancës socialiste, të cilën e akuzojnë se ka blerë votat me paratë e krimit.
Ndërkohë, që opozita ka zhvilluar disa protesta kundër qeverisë, ditën e djeshme kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për krijimin e koalicionit opozitar, ku një ndër pikat e marrëveshjes ishte që nuk do të hynin në zgjedhje, nëse nuk krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Opozita e ka cilësuar si kusht të panegociueshëm largimin e kryeministrit Rama, në të kundërt nuk do të hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Por, pavarësisht këtij vendimi, duket se Bashës po i del situata nga kontrolli me disa nga kryebashkiakët në detyrë të cilët mund të pranojnë të kandidojnë si të pavarur, apo të mbështetur nga forca të tjera politike.
Por, kjo është vetëm njëra anë e medalies. CNA.al ka mësuar se edhe ish-deputetë apo ish-drejtues të Partisë Demokratike, kanë vendosur të kandidojnë si të pavarur dhe janë regjistruar për të marrë pjesë në garën elektorale të 30 qershorit.
Kështu, burime për CNA.al bëjnë të ditur se ish-deputeti i PD-së, Bedri Hoxha është regjistruar në KZAZ, 17, Klos dhe do të dalë vetë si kandidat.
Kujtojmë këtu se ai ka qënë Kryetar i Bashkisë Klos në Rrethin e Matit nga tetori i vitit 2003 deri në qershor 2009.