Nga Artan Fuga
Kush e ka plaçkitur Universitetin e Tiranës ?
—————————
Kërkesë për transparencë që organet që e kanë detyrë t’a bëjnë!
Përse kanë goditur, plackitur, grabitur, bërë fërtele, leckë rrëzuar përdhé kështjellën universitare ? E kanë kafshuar duke i hequr vit pas viti llokma të mëdha duke e bërë si peshkun e madh të Heminguejit që doli në breg pothuajse skelet.
A ka bord universiteti apo jo? Përse flenë?
Na kanë bërë me bord.
Na kanë trajtuar si bordello!
Le t’i marr me rradhë mega-grabitjet :
1. Kishte një palestër që mund të përdorej edhe nga studentët e universitetit të Tiranës edhe ata të Universitetit Politeknik. Një palestër e mrekullueshme, plot dritë dhe ajër e hapësira të gjera, që për ata që nuk e dinë, gjendet ngjitur me Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Më kujtohet kur si studentë e shfrytëzonim lirisht, më vonë edhe si pedagogë, dhe që ka kaluar me mijra studentë që atje kanë harxhuar orë të mrekullueshme për estetikën dhe shëndetin e trupit. Me dhjetra e qindra, ose mijra talente sportive studentore kanë kaluar andej gjithashtu. Për të mos folur për arkitekturën e saj, estetikën dhe klasin e lartë, veshur me mermer, pjesë e kompleksit neoklasik të godinave universitare në sheshin që sot quhet “Nënë Tereza”.
A ka mundësi qeveria të llogarisë në miliona euro dëmin që i ka sjellë universitetit si të tillë duke e grabitur politika këtë pasuri, thesar financiar dhe kulturor, a ka mundësi të kthehet andej ku dhe atij që i është grabitur bashkë me të gjithë fitimin e munguar, pra me gjithë shumat e qirave që janë paguar për atë godinë madhështore.
2. Kishte një bibliotekë të mrekullueshme universitare pak më tutje që përdorej edhe nga studentët e Universitetit të Tiranës dhe nga ata të universitetit Politeknik.
Një qendër që në vitet 70 ishte një agjenci bibliotekare që përhapte liberalizëm, dije, oksident, dhe prandaj edhe u godit nga diktatura. Por, gjithsesi e vazhdoi funksionimin e saj. Me bodrumet ku kishte mijra volume librash të vyer, të grumbulluar me mund e me zgjuarësi nga pedagogët dhe specialistët e bibliotekës. Në sallat e saj veshur me mermer, plot dritë, me dritare të gjata ku shihesh gjelbërimi i pemëve përreth, studionin qindra e qindra studentë në ditë si edhe ishte streha e pedagogëve studiozë.
Një mrekulli arkitekturore që diktatura ja kishte blatuar universitetit. Nuk e di përse dhe si. Muhabet më vete ky.
Ku është sot kjo bibliotekë ? Mjerim i madh. Eshtë kthyer në zyra, ndofta edhe jepet me qira a nuk e di se çfarë bëhen një pjesë tjetër e bibliotekës që universitarët, pedagogë dhe studentë, e humbën.
A ka njeri që vallë e mat këtë dëm kulturor ku bibliotekat kthehen në zyra ? Po atë që humbën studentët dhe pedagogët ? Sepse shteti nuk gjente dot zyra për rektoratin që sigurisht diku duhej të strehohej qoftë dhe përkohësisht.
3. Kishte një ndërtesë të mrekullueshme dhe impozante aty te Rruga e Kavajës, fshehur pas pemësh dhe muresh të lashta plot mister që strehonte atë që quhej Muzeu i Shkencave të Natyrës.
Unë nuk kam kryer studime për shkenca natyrore, por si ish student i filozofisë kam pasur rastin që pedagogët e mi të biologjisë dhe fizikës të na conin për vizitë atje. Cfarë mrekullie ishte strehuar atje nga flora, e më gjerë, e vendit. Të hapeshin sytë. Për të gjithë publikun besoj ishte një thesar. Imagjinoni për studentët e fakultetit të shkencave të natyrës !
Kur në Londër kam vizituar nga mëngjesi në darkë Muzeun e evolucionit të specieve, kam kujtuar Muzeun e Shkencave të natyrës të viteve 70 që kisha vizituar atëhere në atdheun tim. Dhe jam ndjerë krenar për punën e universitarëve shqiptarë që me aq përkushtim dhe dashuri kishin punuar. Sigurisht nuk mund të krahasohej me muzetë e një fuqie ish koloniale, por për fuqinë shqiptare ishte një xhevair i rrallë.
A mundet ju lutem në emër të transparencës që i bini si daulle të na përllogaritni sesa miliarda ka humbur universiteti nga rrafshimi i kësaj ndërtes dhe i pasurive brenda saj ? A mendoni se çfarë plage e rëndë na është shkaktuar zonja dhe zotërinj universitarë, dhe ne si trumcakë në stinë dimri jemi shpërndarë o burra kush të iki pa parë skifterët çfarë i kanë bërë dijes dhe botës të arsimit ? Nuk po flas për coptimin tej e tej të kopshtit botanik.
4. Kishte terrene në ajër të hapur që ishin destinuar për veprimtari sportive aty poshtë kodrës të qytetit « Studenti ».
Ishin gëzimi i studentëve në dekada sidomos në stinët e vjeshtës dhe të pranverës. Terrene sportive, fusha basketbolli dhe futbolli për veprimtari brenda dhe jashtë kurrikulare. Kishte sezone që ato ngjanin me terrenet sportive që më pas i pamë në universitetet më të mira të Perëndimit. Vlera e tyre financiare pastaj edhe edukative e kulturore e shëndetësore ka qenë e pamatshme. Financiarisht mund të jetë e barabartë me miliarda.
A e dini se edhe ato i përdor Bashkia e Tiranës për parkingje dhe i kanë dalë jashtë dore si Universitetit të Tiranës ashtu edhe Universitetit Politeknik ?
Dhe për të legjitimuar këtë grabitje ka zonja dhe zotërinj që tani bëjnë çmos ta heqin krejtësisht edukimin sportiv nga programet universitare. Lepuri fle te ideja që ato terrene të shpallen de facto dhe de jure si të padobishme.
A e dini studentë dhe studente se çfarë pasurie miliardashe ju është grabitur nuk e di se nga kush ? Për shkakun se ne pedagogët tuaj jemi trumcakë trima në tavolina kafenesh dhe lepuj në hapësirën publike.
5. Kishte terrene të lira në oborret e fakulteteve të Universitetit të Tiranës dhe të Universitetit Politeknik që jo vetëm krijonin një mjedis rehatie, bollëku dhe qetësie për studentët, por edhe mund të përdoreshin për veprimtari ndihmëse të procesit mësimor.
Shihni te fakulteti ekonomik, te inxhinjeria e ndërtimit, te fakulteti juridik, te filologjiku, e kudo, sesi këto terrene brenda ish oborreve të fakulteteve u tjetërsuan gradualisht dhe u dhanë për ndërtim ose për veprimtari tregtare pa asnjë lidhje as me shkencën dhe as me arsimin universitar ?
Në kuadrin e transparencës a mund ta dimë sesa qindra e qindra metra katrorë truall të dorës të parë kanë humbur Universitetet brenda vijës të verdhë të Tiranës duke u ngushtuar nga viti në viti ? Sa miliona e qindra milionë lekë bëjnë të gjitha këto ?
A mendoni zonja pedagoge dhe zotërinj pedagogë, se sa kanë humbur universitetet tona, nga frika dhe indiferentizmi ynë, nga tjetërsimi i këtyre hapësirave ?
Aty mund të ndërtoheshin nga vetë universitetet konvikte, salla studimi, mjedise bibliotekash, kurse tani studentët tanë duhet të studjojnë në mjedise cip mbi cip që nga Materniteti te Rruga e Elbasanit duke vazhduar andej nga Lana !
Kush i ka grabitur zotërinj skifterë ? Ju pyet një lepur si unë.
6. Kishte një shtëpi botuese shumë performante dikur Universiteti i Tiranës. Botonte perla të studimeve të korifejve të shkencës shqiptare.
Ku është, cfarë u bë ? E di njeri ?
Botonte me modesti, por me cmime të matura, tamam për studentë. Ishte një nga asetet më të rëndësishme të Universitetittë madh shqiptar. Një qendër që rrezatonte dije me redaktore dhe administratore që ta kishte qefi t’i shihje sesi punonin dhe çfarë profesionalizmi kishin në punë.
Tani pedagogët botojnë në shtepi private botuese dhe një pjesë e tyre masakrohen nga interesa private. Të tjerë me thasë në krahë shesin librat e tyre dhe disa madje edhe pa ISBN sikur të ishin materiale klandestine, ta zemë romani “Nëna” i Maksim Gorkit në kohën e Carit të Madh të Rusisë.
E dini zonjusha studente dhe zotërinj studentë se sa lekë, miliona, ikin nga xhepat tuaj, pikërisht sepse baron portokalli firmosi prishjen e shtëpisë botuese u niversitare.
7. Kishte konvikte dhe menca universitare që dikur menaxhoheshin nga universitetet.
Ku një pjesë e konsiderueshme e rinisë studentore modestisht përpiqej të zëvendësonte shtëpinë e ngrohtë. Latat e famëshme studentore ishin shpëtimi për studentët me pak mundësi financiare. Por, edhe në tiranasit vdisnim të shoqëronim shokët dhe shoqet tona konviktore për të ngrënë jo rrallë në ato menca me latat e miqve tanë, si fshehurazi.
Ku janë sot këto menca dhe këto konvikte që u tjetërsuan nga duart e universiteteve dhe ranë në duar që kërkojnë fitim, fitim, fitim.
Nuk ka ku pi një kafe studenti i shkretë. Palé të hajë një paçe me pilaf të mbledhi stomakun ! Byreqe, byreqe, byreqe. Vetëm byreqe sepse përreth godinave universitare lulëzon vetëm privati që duhet t’a kesh rrogën e profesorit, të kesh edhe një aktivitet privat gjysëm të fshehtë mbështetur nga bashkia, me gjyshin emigrant, që të hash një drekë.
A na bëni pak transparencën financiare të menaxhimit të këtyre aseteve që dikur ishin universitare dhe kush i përlan fitimet dhe përfiton nga investimet ?
8. Sepse në vend që universitetet të menaxhojnë vetë hapësirat për aktivitetet ndihmëse, në lokalet universitare lulëzojnë shërbime private që nuk dihet se kush, kur, pse i ka dhënë me qira. A nuk mundet që vetë universitetet t’i marrin përsipër këto aktivitete ?
Kujt i janë dhënë me qira këto hapësira, me cfarë tenderash, me cfarë konfliktesh interesi, dhe si përdoren këto të ardhura ?
Sepse që ta dini ju të nderuar zotërinj studentë dhe zonjusha studente këto qira edhe kur merren për ato shërbime, në fakt janë pagesa të tërthorta që ju bëni dhe që shkojnë në duart e privatëve.
Janë miliarda të grabitura.
9. Zëra të besueshëm më konfirmojnë që universitetet kanë paguar paradhënie shuma marramendëse për projekte a vizatime për ndërtime kampusesh ose mbikatesh apo sallash që nuk janë bërë kurrë.
Kush i ka marrë ato parà ? Ku është kampusi? Apo është ngritur dhe unë nuk e shoh!
Nëse këto konfirmohen unë si një trumcak them se ky do të ishte një tërmet i rëndë.
Dhe pasi politika u ka marrë miliarda studentëve tani duket sikur u bën nder që u jep ta lëpijnë lëpirësen e përgjysmimit të tarifave për bachelorin me kusht që ta kenë notën mbi 6 !!!
Ne të grabiturit po na ramburson thërrime grabitësi !
A mund të kërkojmë kush ka firmosur, përse, cilin ka pyetur dhe a e meriton më besimin tonë ? A mund të Kêrkojmê rikthimin e mallit te i zoti ? A mund të kërkojmë çdëmtim të majmë ?