Bashkia e Kamzës me rastin e 23-vjetorit të themelimit të saj, ka ndarë sot çmime mirënjohje dhe për mediat dhe gazetarët që kanë qenë pranë pasqyrimit të problematikave të banorëve të kësaj zone.
Televizioni Fax News është vlerësuar me çmimin e mirënjohjes për bashkëpunimin me Bashkinë, ndërsa vlerësim është dhënë dhe për dy gazetarët e medias, Rezear Xhaxhiun dhe Mirilda Tilin.
Në fjalën e tij pas marrjes së çmimit, Xhaxhiu u shpreh se Kamza ka bërë ndryshime të mëdha vit pas viti, dhe se një rol të madh në këtë e kishin dhe pjestarët e stafit të Bashkisë. Xhaxhiu tregoi dhe historinë e tij personale lidhur me zhvillimin që ka pësuar Kamza në vite.
‘’Kamza ka përbërë lajm këtu e 14 vite më parë, unë e bëja shpesh rrugën Tiranë-Shkodër, dhe çdo herë që kaloja shihja një rrugë të shtruar, diku tjetër një betoniere. Po mirë thashë pse mos ta takoj njëherë këtë kryetarin, dhe kam bërë një dokumentar ekselent. Pra këtu ka pasur një zhvillim, dhe kudo ku ka zhvillim ka edhe media që do e ndjekin ndryshimin. Ju përgëzoj ju zoti Mziu dhe stafin tuaj, pasi punët e mira nuk mund të bëhen vetëm”, u shpreh Xhaxhiu në fjalën përshëndetëse në këtë ceremoni.
Po ashtu çmim kanë marrë dhe disa televizione informative, si dhe gazetarët si Engjell Musaj, Artan Cena, Beti Njuma apo Qamil Xhani.
(E.K/FAXWEB.AL)