Skënder Hoxha ka pranuar vrasjen e gruas së tij Antoneta Hoxha në orët e para të mëngjesit të sotëm në Vagalat të Memaliajt.
Pas disa orësh rezistencë, në fund Hoxha ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa ka treguar se e ka vrarë gruan me levën e kazanit të rakisë.
Çështja pritet që t’i kalojë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, për shkak se dhuna në familje nuk parashikohet të ndiqet nga gjykatat e rretheve.
Kujtojmë se çifti kishte 4 fëmijë, që nuk gjendeshin në banesë në momentin kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Fqinjët janë shprehur të habitur për vrasjen, pasi sipas tyre çifti nuk kishte pasur më herët konfikte.
Ka qenë vetë bashkëshorti ai që ka lajmëruar kryeplakun e fshatin dhe i ka thënë: Hajde se ka vdekur gruaja!
Kryeplaku i fshatit Hodo Hoxha tregon se viktimën e kishte gjetur me plagë të mëdha në kokë, dhe të mbuluar nga gjaku.
‘’Kur erdhëm këtu te shtëpia, më tha mos e prekni me dorë se e kam vrarë. Çifti ka një djalë dhe tre vajza, të cilat janë të martuara. Kur erdha unë në 4 gjaku ishte i ngrirë dhe kishte një plagë të madhë në kokë, se me çfarë e ka vrarë nuk e di”, shprehet kryeplaku i fshatit.
Njoftimi i policisë për ngjarjen e rëndë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Vagalat në Tepelenë.
Arrestohet në flagrancë 63 vjeçari pasi vrau bashkëshorten.
Pas njoftimit të marrë se shtetasja A.H., banuese në fshatin Vagalat, Bashkia Memaliaj, u gjet nga familjarët e pajetë në banesë, me dëmtime në kokë, menjëherë u ngrit grupi hetimor ku në bashkëpunim Prokurorinë kryen veprimet e para procedurale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët e Stacionit të Policisë Memaliaj nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër bënë arrestimi në flagrancë të shtetasit S.H., 63 vjeç, i cili ka vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen A.H., 53 vjeçe.
Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
(E.K/FAXWEB.AL)