Teksa opozita po prezanton sot platformën për qeverinë tranzitore, një pjesë e mirë e gazetarëve të pranishëm në takim kërkojnë se cilat do të jenë teknikalitetet e saj.
Megjithatë kryedemokrati Basha përveç se ka thënë se qeveria tranzitore nuk do të jetë e përbërë nga PS dhe PD nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.
Kjo duket se ka irrituar dhe gazetarin Ylli Rakipi, i cili thotë se për adresat e votuesve nuk ishte e nevojshme të organizohej një takim i tillë, do të mjaftonte dhe një mbledhje partie.
‘’Ne prisnim një platformë politike, këto adresat mund ti kishit diskutuar në mbledhje partie. Jo, jo ju e dini vetë, dakord mo dakord dhe këto i dëgjojmë ne kemi kohë”, u shpreh Rakipi, që duket se zuri në befasi edhe Bashën.
DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE QË PROPOZOI PD:
- Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.
- Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.
- Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit.
- Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licensave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.
- Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.
- Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i fallsifikimeve të letërnjoftimeve.
- Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.
- Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.
- Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.
- Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën.
(E.K/FAXWEB.AL)